AKTUALITET, 8 Mars 2023, 13:23

DEA amerikane në Shqipëri, Manja: Shenjë e fortë bashkëpunimi me institucionet tona

DEA amerikane në Shqipëri, Manja: Shenjë e fortë

Angazhimin e DEA-s amerikane kundër trafikut të drogës në Shqipëri, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e ka cilësuar shenjë të fortë bashkëpunimi mes institucioneve të dy vendeve.

Manja deklaroi pas mbledhjes së qeverisë ditën e sotme se në që ditën e krijimit të SPAK, bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë me partnerët amerikanë ka qenë korrekt.

“E konsideroj si shenjë besimi të fortë. Bashkëpunimi i deritanishëm i agjencive shqiptare me DEA-n është shenjë e fortë e bashkëpunimit me institucionet tona.

Që në ditën e krijimit të SPAK, bashkëpunimi mes prokurorisë, dhe policisë së shtetit me partnerët amerikanë ka qenë korrekt. Tregon se besimi i këtyre strukturave te ne vjen në rritje”, deklaroi Manja.

“Ka një vullnet serioz të agjencive ligjzbatuese dhe qeverisë shqiptare për të goditur fort korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh ai.