AKTUALITET, 29 Prill 2026, 12:40

Berisha, për ndarjen nga jeta të Rustem Gjatës: Shpirti i tij i mirë, të gjejë paqen e merituar! Një nga juristët e parë që mbështeti PD, në themelimin e saj!

Berisha, për ndarjen nga jeta të Rustem Gjatës: Shpirti i tij i

Ndarja nga jeta e konstitucionalistit dhe ish-kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese shqiptare pas rënies së diktaturës ka prekur thellë jo vetëm familjarët dhe të afërmit e tij, por edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë në rrugën profesionale dhe jo vetëm.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot (29 prill) me një postim në rrjetin social, duke shprehur njëkohësisht dhimbjen e thellë dhe vlerësimet për kontributin juridik që ish-deputeti demokrat Gjata dha gjatë punës së tij, që nga hapat e parë të themelimit të PD-së dhe më pas në ndërtimin e shtetit dhe legjislacionit post-diktaturë.

“Ish-deputet i Partisë Demokratike dhe pedagog i respektuar, Doktor i Shkencave në Fakultetin e Drejtësisë, Rrustem Gjata do të ishte ndër juristët e parë që do të mbështeste dhe do të bashkohej me opozitën shqiptare dhe Partinë Demokratike që në hapat e parë të themelimit të saj. Ai dha një kontribut të madh në zëvendësimin e legjislacionit të diktaturës komuniste me ligjet e reja, si dhe në udhëheqjen e institucioneve të reja të drejtësisë”, shprehet mes të tjerash Berisha.

Ai i shpreh ngushëllime familjes dhe ndan vlerësimin për kontributin e tij:

“Duke shprehur respektin dhe vlerësimin tim të madh për kontributin e shquar të Dr. Rrustem Gjatës, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar”.

Postimi i plotë i Sali Berishës:

“Rrustem Gjata mbylli sytë përgjithmonë

Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për Rrustem Gjatën, një prej civilistve dhe konstitucionalistëve më të shquar të Shqipërisë. Ish-deputet i Partisë Demokratike dhe pedagog i respektuar, Doktor i Shkencave në Fakultetin e Drejtësisë, Rrustem Gjata do të ishte ndër juristët e parë që do të mbështeste dhe do të bashkohej me opozitën shqiptare dhe Partinë Demokratike që në hapat e parë të themelimit të saj. Ai dha një kontribut të madh në zëvendësimin e legjislacionit të diktaturës komuniste me ligjet e reja, si dhe në udhëheqjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Rrustem Gjata u zgjodh nga Parlamenti si Kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese, të cilën e drejtoi me kompetencë dhe integritet të lartë që nga themelimi i saj deri në vitin 1997 – vit në të cilin ata që erdhën me dhunë në pushtet e larguan me një puç antikushtetues.

Përveç kontributit të tij në jurisprudencën e kësaj gjykate, që hodhi bazat e drejtësisë kushtetuese në Shqipëri, Rrustem Gjata është autor i një morie artikujsh, referencash e monografish në fushën e së drejtës, kryesisht të asaj private. Monografitë e tij mbi të drejtën civile, pronësinë, detyrimet dhe kontratat, përgjegjësinë civile, dëmin kontraktor e jashtëkontraktor, janë një kontribut i vyer dhe udhërrëfyes për përgatitjen e qindra dhe mijra juristëve të rinj.

Duke shprehur respektin dhe vlerësimin tim të madh për kontributin e shquar të Dr. Rrustem Gjatës, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar.

Ngushëllime, Sali Berisha!”.