AKTUALITET, 18 Prill 2025, 20:44

Berisha me kapele me numrin 1 në Kamëz: Rritje pensionesh dhe pagash me paratë që do ua kthejmë qytetarëve

Berisha me kapele me numrin 1 në Kamëz: Rritje pensionesh dhe pagash

Si kurrë më parë kreu i PD-së Sali Berisha ka mbajtur një kapele sportive me numrin 1 si numri i ASHM në fletën e votimit në takimin në Kamëz. Ndoshta si rivalitet me kundërshtarin e tij Edi Ramën, i cili gjithashtu ka bërë fushatë me kapelen me nr 5 në vend, apo dhe i frymëzuar nga presidenti amerikan, lideri i PD duket se ka zgjedhur të freskojë imazhin me një aksesor sportiv. 

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi platformën e koalicionit "Shqipëria Madhështore" për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se prioriteti është rikthimi i shpresës dhe ndalimi i largimit masiv të shqiptarëve nga vendi.

"Vetëm nga viti 2014 deri më 2023, nga Shqipëria janë larguar mbi një milion qytetarë drejt BE-së," deklaroi Berisha, duke e konsideruar këtë si pasojë të një qeverisjeje që, sipas tij, ka thelluar varfërinë dhe ka dyfishuar çmimet e produkteve bazë.

Ai u ndal edhe tek pensionistët, të cilët sipas tij janë lënë pas dore nga qeveria. Berisha premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes, asnjë pensionist nuk do të marrë më pak se 200 euro në muaj.

Duke sjellë në kujtesë premtimin për dyfishim rrogash në vitin 2005 – të cilin, sipas tij, e mbajti – Berisha tha se rritja e pagave dhe pensioneve do realizohet përmes një mekanizmi të qartë: “Paratë do ua kthejmë qytetarëve”.