TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sali Berisha ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, ku ka mbajtur një fjalim për mediat, pas përfundimit të referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Berisha tha se 44 mijë demokratë kanë marrë pjesë në referendum dhe se ky është një "ndëshkim i merituar për Lul Bravën".
"Përshendetje demokratëve që firmosën sot në 18 dhjetor, në një akt madhor, monument madhështor të lirisë së pluralizmit politik, referendumin e parë të thirrur nga anëtarësia e një force politike, në historinë e Shqipërisë dhe më gjerë.
Ndaj dua të përulem me nderimin më të madh, para dhjetëra mijëra, para 44 mijë demokratëve dhe demokrateve, që sot vendosën me votën e tyre, në mënyrën më plebishitare, largimin e peng-Bashës.
(pjesëmarrësit bërtasin "Basha ik")
Jo Basha ik, por brava ik!
Ky është ndëshkimi më i merituar, që një person i padenjë për detyrën, që një person që detyrën më të lartë të kreut të opozitës, e shfrytëzon për pazare personale dhe e trajton Partinë Demokratike si pronë të tij. Ky është votimi më i shkëlqyer që shkruan një kapitull të ri në historinë e revolucionit demokratik.
Nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë këtë revolucion.
Jeni dëshmitarë të përpjekjeve të turpshme të narko-shtetit, kundër këtij akti madhor në historinë e pluralizmit. Mjafton t’ju rikujtoj paraqitjen me orë të tëra në studio televizive, të pengmarrësit, në ndihmë të pëngut të tij, etj, etj.
Por, asgjë asgjë nuk mund të ndalë njerëzit e lirë në realizimin e qëllimeve të tyre. Nuk ka forcë që pengon dot njerëzit e lirë, në arritjen e objektivave të tyre për liri dhe dinjitet", tha Berisha.