AKTUALITET, 30 Janar 2022, 11:53

Primaret në PD, Nishani: Sot vota ka realisht vlerë

Primaret në PD, Nishani: Sot vota ka realisht vlerë

Nga Bujar Nishani/

Të dashur miq demokratë, sot një ditë e veçantë për historinë e demokracisë shqiptare.

Partia Demokratike e Shqipërisë realizoi atë që ishte premtimi i parë i saj në proçesin e rithemelimit dhe modernizimit.

Sot me këtë proçes nuk përmbushet thjesht ky premtim i mbajtur, por sot demonstrohet praktikisht përpara syve të të gjithë shqiptarëve dallimi i madh mes dy modeleve të kulturës politike.

Modeli i votës së lirë përballë manipulimit idiot e vulgar !

Modeli i lirisë, të drejtës dhe integritetit përballë korruptimit, mashtrimit dhe pengmarrjes !

Modeli i bashkimit, sovranitetit, respektit e gjithpërfshirjes, përballë shitjes, përjashtimit, harbutërisë dhe sharlatanizmit !

Modeli i demokracisë funksionale e të drejtpërdrejtë ku çdo demokrat ka kapitalin dhe vlerën e vet në këtë parti, përballë modelit të konglomeratit amoral prej vrasësish, trafikantësh, tenderaxhinjve, hajnisë së tokave, pronave e parave të shqiptarëve, mbledhur në bunkerin e blinduar tek kundërbojnë nën sqetullën e rregjimit.

Beteja jonë është e drejtë dhe e vërtetë !

Sot për pluralizmin, nesër për Shqipërinë.