AKTUALITET, 11 Maj 2023, 23:30

"Belo dhe Velo kanë hapur thesin shumë, po ju pse nuk jepni gjëra falas?/ Rakipi pyet Arlind Qorin për premtimet e fushatës

"Belo dhe Velo kanë hapur thesin shumë, po ju pse nuk jepni

Arlind Qori, kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës nga Lëvizja Bashkë, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku u pyet lidhur me premtimet elektorale dhe sidomos për faktin që kundërshtarët e tij e kanë hapur "thesin", duke bërë premtime "bombastike". 

Qori tha se nuk beson në këto premtime, ndërkohë që renditi të gjitha problemet serioze që ka sot Tirana, si pasojë e aleancës mes politikës, oligarkisë dhe krimit. 

Pjesë nga biseda: 

Ylli Rakipi: Belo dhe Velo e kanë hapur shumë thesin. Velo thotë do të mbjellim 2 milionë pemë, kurse Belo jep autobus falas. Ty Arlind të kanë mbajtur edhe për komunist, por si ka mundësi nuk jep gjë falas?

Arlind Qori: Për transportin kemi disa propozime falas për pensionistët, njerëzit që marrin ndihmë ekonomike, të papunët dhe studentët.

Neritan Sejamini: Çfarë komunisti je ti, kaq dorështrënguar? Një komunist i vërtetë e bën për të gjithë falas edhe për fshatin…

Arlind Qori: Unë si anëtar i klasës së mesme e paguaj 40 lekëshin dhe nuk më godet 40 lekëshi i autobuzit, mjafton që shërbimi të jetë dinjitoz. Tirana ka nevojë për një zhvillim të ekuilibruar në të gjithë fushat e veta, nuk mund ti hedhësh të gjithë paratë në një sektor. Veliaj premton të njëjtat gjëra si para 8 vitesh. Ai ka thënë korsi të dedikuara të autobuzëve, që kur ka ardhur kryetar bashkie. Nuk ka bërë asgjë. Ky tjetri pastaj Këlliçi, kërkon të hyjë në garë si qesharak.

Ylli Rakipi: Autobusin falas si e mendon ti?

Arlind Qori: Sa kohë Bashkia mund të përmirësojë shërbimin, ta bëjë më të shpejtë, të sigurtë dhe komod, të ketë një politikë tarfimi, ku personat që mund të paguajnë, e paguajnë. Nuk është sakrificë e madhe. Sidomos nëse e bën biletën me orë. Ka zgjidhje të qëndrueshme, serioze, nuk ka nevojë të jenë bombastike. Këlliçi do të bëjë lajm me këtë.