AKTUALITET, 14 Prill 2022, 11:49

Basha në Kuvend: Kush s’i bindet Berishës, shpallet kulak, të distancohet të çlirojë PD

Basha në Kuvend: Kush s’i bindet Berishës, shpallet kulak,

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka hedhur akuza të forta e ka sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ai u ndal në hyrje të Kuvendit dhe foli para gazetarëve në lidhje me situatën në parti që e konsideroi përçarëse.

Basha tha se Berisha po shpall armik këdo që i del kundër, referuar situatës dhe përplasjes me Enkelejd Alibeajn.

Ky i fundit, sipas Bashës është i vetmi kryetar që ka PD-ja. Ai madje i bëri thirrje edhe Berishës që të distancohet e të çlirojë Partinë Demokratike.

“Shpreh keqardhje dhe shqetësim, sepse nuk ka shërbyer aspak për të bashkuar demokratët, por është përdorur për të treguar se kush nuk i nënshtrohet vendimeve të mia, shpallet armik dhe shpallet kulak, vetëm e vetëm sepse mbron interesat e demokratëve.

Partia Demokratike e nisi këtë sezon parlamentar me komisione e propozime, nisi edhe përgatitje për ndryshime të thella kushtetuese.

Prandaj duhet të jemi në ballë të këtij aksioni, ndërkohë që interesat personale po mbajnë peng Partinë Demokratike. Ekranet e mediave janë të mbushura me tre figura, hidh e prit Ramën, Metën e Berishën, ndërsa hallet e njerëzve nuk zënë vend.

E thashë edhe dje në Mirditë, që kur çmimet rriten, të ardhurat për shtetin rriten, sepse TVSH-ja është funksionale për shtetin, është 20% e çmimit. Ku shkojnë paratë?

Normalisht paguhen inceneratorët. Të gjitha pretendimet tona i vërtetoi dhe raporti i DASH që doli dy ditë më parë,”- tha Basha ndër të tjera.