TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Banorët e fshatrave të njësisë Thumanë protestuan sot për të katërtën herë radhazi pranë nënkalimit të autostradës Thumanë-Kashar.
Shkatërrimi i rrugës së Gramzës, i dëmtuar rëndë nga automjetet që devijojnë nga autostrada, dhe mungesa e reagimit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARSh) dhe Bashkia Krujë për investimin e kësaj rruge, të gjatë vetëm rreth 500 metra, detyroi banorët të dalin në rrugë.
Për rreth një orë, protestuesit bllokuan qarkullimin, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin e rrugëve të dëmtuara të Krujës, një nga zonat më pak të investuara dhe të lëna jashtë vëmendjes së qeverisë.
“Kemi dal në protestë për një rrugë 500 metra, na u prishën makinat, na u prish çdo gjë. Ne do të dalim prap deri sa ta shtrojnë këtë copë rrugë. 500 metra rrugë janë, kalojnë kamionët e kanë prishur. Sa më shpejt të na e shtrojnë, ne këtë do dalim deri sa ta shtrojnë”, tha njëri prej protestuesve.
Banorët apeluan për zgjidhje të shpejta dhe paralajmëruan se nëse situata nuk ndryshon, do të vijojnë me protesta të tjera, duke paralizuar trafikun në këtë aks kryesor.
“Kemi disa kohë që protestojmë dhe nuk kemi marrë asnjë lloj reagimi as nga bashkia as nga institucionet e tjera. Në do ta vazhdojmë protestën, do e ndjekim situatën dhe në rrugë ligjore, se po e shohim që nuk po merret asnjë lloj vendimi nga asnjë institucion. Do ti bëjmë peticion bashkisë dhe institucioneve të tjera përkatëse. Shpresojmë që qeveria të reagoj edhe do e dëgjon zërin popullit, që i ka ardhur thika aty ku nuk mban”, tha një qytetar.
“Përderisa nuk na dëgjon njeri, ne do të vazhdojmë punën tonë, por unë gjykoj që boll më. Pritja e ka një kufi, sa do presim ne. Autoritetet, shteti të vej para përgjegjësisë firmën kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugës”, shtoi një tjetër banor i Thumanës.
Banorët vendosën të nënshkruajnë një peticion drejtuar institucioneve përgjegjëse. Të kërkosh rrugë në 2026 është fatkeqësi kombëtare, kjo ndodh në disa fshatra. Sa herë kemi protestë hedhin një dorë çakull, por nuk është kjo zgjidhja. Kalojnë mbi 2 mijë trajlera në ditë, imagjinoni në çfarë situate janë këta banorë. Banorët do të ndjekin hapat në prokurori, gjykatë, do jetë një rrugë e gjatë ligjore”, tha njëri nga banorët.
Për rreth një orë banorët qëndruan në rrugë, duke bllokuar qarkullimin, ndërsa apeluan institucioneve për investime në rrugët e dëmtuara të Krujës, një ndër zonat më me pak investime e lënë jashtë vëmendjes së qeverisë.