AKTUALITET, 6 Mars 2026, 21:56

Rama: Riciklimi, potencial për të krijuar vlerë të re nga mbetjet

Rama: Riciklimi, potencial për të krijuar vlerë të re nga

Riciklimi i mbetjeve konsiderohet si potencial për të krijuar vlerë të re, ndërsa filozofia ”Qarkullo dhe krijo” po përqafohet gjithmonë e më shumë nga bizneset shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale modelin që po zbaton kompania “Green Recycling”, e cila përpunon rreth 600 tonë mbetje letre dhe kartoni çdo muaj, duke operuar sipas standardeve të certifikuara dhe të akredituara europiane.

“Kjo kompani ofron gjithashtu edhe mbledhjen e vajit ushqimor të përdorur nga sektori i restoranteve, me një volum prej rreth 60 tonë në muaj, duke mbrojtur mjedisin dhe infrastrukturën publike të qarkullimit të ujit”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se me procese të automatizuara dhe të fiskalizuara për menaxhimin e mbetjeve të riciklueshme, ky model biznesi tregon se ekonomia qarkulluese funksionon kur mbetjet qarkullojnë dhe krijojnë vlerë të re.

Përfaqësuesi i kompanisë “Green Recycling”, Arbër Xhihani u shpreh se kompania po mundohet të vendosë teknologjitë më modern dhe të certifikuar europiane.

“Volumet që trajtojmë aktualisht janë minimumi 600 tonë në muaj mbetje letre dhe kartoni, pra një volum vjetor mbi 7 mijë tonë. Ndërsa mbetjet e vajit ushqimor për të cilat bashkëpunojmë me restorantet për ta mbledhur për të mos dëmtuar kanalizimet dhe ujësjellësat kalojmë një volum 60 tonë që pastaj kthehet në biokarburant i cili trajtohet në rafineritë europiane”, tha Xhihani.

Xhihani u shpreh se kemi kontrata për të gjitha mbetjet e riciklueshme me operatorë fundorë jashtë Shqipërisë që do të eksportohen.

“Kështu ndihmojmë dhe kontribuojmë në përmirësimin e mjedisit dhe rritjes së cilësisë së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Fokus i punës mbetet trajtimi i mbetjeve të letrës dhe kartonit dhe normalisht kemi një trajtim tërësisht manual, duke filluar nga shkarkimi dhe seleksionimi i mbetjeve. Kontratat janë të shumta me shumë tipologji furnitorësh”, u shpreh Xhihani.

Xhihani theksoi se kompania është e licencuar për transfertë mbetjesh të riciklueshme dhe urbane.

“Sapo makina peshohet automatikisht informacioni kalon në platformë të lidhur me magazinën dhe me sistemin fiskal të deklarimit të faturave dhe vjen automatikisht pesha në sistem dhe deklarimi i faturave. I njëjti proces është edhe për kompanitë me të cilat bashkëpunojmë dhe me individë regjistrohet në platformë bëhet deklarimi”, tha Xhihani.