AKTUALITET, 8 Janar 2026, 15:31

Banka e Shqipërisë “përthith” 595 mln euro nga tregu/ Shton blerjet e valutës për forcimin e rezervës valutore

Banka e Shqipërisë “përthith” 595 mln euro nga tregu/

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në tregun e brendshëm valutor, duke blerë euro me synimin për të forcuar rezervën valutore dhe për të ruajtur stabilitetin financiar. Sipas të dhënave zyrtare, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar shtatë ankande për blerjen e valutës nga bankat e nivelit të dytë. Në total, gjatë kësaj periudhe janë blerë mbi 108 milionë euro, një nivel më i lartë krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm të vitit.

Këto blerje janë pjesë e strategjisë së njoftuar më herët nga Banka e Shqipërisë dhe synojnë rritjen e rezervës valutore të vendit, si edhe menaxhimin e efekteve që vijnë nga flukset e larta valutore në ekonomi. Ndërhyrjet në tregun valutor kanë ndikuar gjithashtu në uljen e mungesës së likuiditetit në sistemin bankar.

Gjatë gjithë vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej rreth 595 milionë euro, duke e bërë këtë një nga vitet me ndërhyrjet më të larta në tregun valutor. Sipas Bankës, këto veprime janë kryer në përputhje me objektivat e politikës monetare dhe të stabilitetit financiar.

Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka kryer edhe veprime me institucione të tjera. Ministrisë së Financave i janë shitur valuta për mbulimin e nevojave të saj, ndërsa janë regjistruar edhe disa blerje më të vogla nga institucione financiare ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë thekson se këto ndërhyrje nuk synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në kursin e këmbimit, por të ruajnë funksionimin normal të tregut dhe të forcojnë pozicionin financiar të vendit.

Sipas të dhënave, ndërhyrjet në tregun valutor kanë luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin e tregut financiar gjatë muajve të verës, një periudhë e karakterizuar nga rritja e parasë në qarkullim dhe flukse të shtuara valutore. Shifra prej 595 milionë eurosh nuk përfshin blerjet rutinë për rezervën valutore dhe marrëveshjet me institucionet e tjera.