TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Situata pas reshjeve të shiut në qarkun e Gjirokastrës mbetet shqetësuese.
Deri në mesditën e kësaj të enjteje, bilanci flet për dhjetë familje të evakuuara, fshatra të tërë të izoluar dhe dëmtime serioze në infrastrukturë.
Evakuimet dhe zonat në rrezik
Rrëshqitjet e dherave kanë detyruar dhjetë familje të braktisin banesat e tyre për të shmangur tragjeditë. Konkretisht, janë evakuuar dy familje në qytetin e Gjirokastrës, dy në fshatin Labovë, dy në Hoshtevë të Zagorisë dhe katër të tjera në Përmet, të cilat janë akomoduar përkohësisht në konvikt.
Në fshatin Nokovë, po punohet me urgjencë për devijimin e ujit që rrezikon shtëpitë.
Problemet me qarkullimin dhe izolimi
Lëvizja drejt veriut mbetet e vështirë. Në aksin Gjirokastër–Tepelenë, kalimi i mjeteve bëhet vetëm me një korsi në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”.
Ndërkohë, në kilometrin e 17-të, lumi Drino ka rrezikuar seriozisht trupin e rrugës, duke detyruar firmat kontraktore të përforcojnë argjinaturën.
Buhali dhe Frashëri janë të bllokuar nga prurjet e mëdha të ujit. Fshatrat Topovë, Zhej dhe Lliar mbeten pa komunikim rrugor. Ushtria ka ndërhyrë me mjete të rënda në fshatin Tërbuq për të hapur rrugën.
Niveli i lumit Vjosa mbetet në kuota kritike, duke arritur në 6.5 metra në Memaliaj, ku kanë nisur edhe gërryerjet e tokave bujqësore. Sa i përket urave, ajo e Glinës në Dropull ka pësuar dëmtime të reja, ndërsa një urë e vogël që lidh fshatrat Krinë dhe Saraqinishtë është nxjerrë jashtë funksionit.