AKTUALITET, 29 Janar 2026, 13:45

'Balluku/ Debat në Konferencën e Kryetarëve, PD: Njollë e zezë për Kuvendin. Peleshi: Jemi brenda rregullores

'Balluku/ Debat në Konferencën e Kryetarëve, PD: Njollë

Socialistët dhe demokratët janë përplasur sërish këtë të enjte në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare, për shkak të mosthirrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të vendoset mbi heqjen, ose jo, të imunitetit të Belinda Ballukut, sipas kërkesës së SPAK

“Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin”, mësohet të ketë thënë deputetja e PD, Jorida Tabaku.

“Shtyrja e mbledhjes në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Në Këshillin e Mandateve vendimet nuk merren thjesht me shumicë, por çdo propozim i anëtarëve vlen. Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhjen”, mësohet të jetë përgjigjur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. 

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka thënë se me kërkesë të anëtarëve të PS, Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet pa u shprehur Gjykata Kushtetuese. Kjo kërkesë thotë Peleshi, do të respektohet pasi nuk përbën asnjë shkelje në rregullore, ashtu siç janë respektuar qëndrimet e të gjithave palëve.

“Këshilli ka vepruar dhe do të veprojë në çdo rast duke pasur vijë të kuqe Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren.

Në respekt të Kushtetutës, mbledhja e Këshillit është thirrur menjëherë. Në respekt të rregullores, është respektuar qëndrimi i të gjitha palëve/anëtarëve në Këshill. Deputetët e maxhorancës kanë kërkuar që në procesin e shqyrtimit të kërkesës të merret edhe vendimi i GJK-së.

Unë, si kryetar i Këshillit, jam i detyruar të mos injoroj asnjë qëndrim dhe kërkesë, për sa kohë që nuk shkel Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren. Ju kujtoj se jemi brenda afatit 3-mujor që përcakton rregullorja për marrjen e vendimit për pranimin ose rrëzimin e kërkesës”, tha Peleshi.