AKTUALITET, 29 Janar 2026, 10:41

'Tani do të hyjmë ne'/ Seanca paraprake për dosjen ‘Meta’, Kryemadhi dhe avokati i kreut të PL paraqiten në GJKKO

'Tani do të hyjmë ne'/ Seanca paraprake për dosjen

Sot mbahet në GJKKO seanca e radhës paraprake për dosjen në ngarkim të Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe personave të tjerë, ku pritet të vendoset nëse do kalojë apo jo për gjykim, apo të rikthehet në SPAK për plotësim hetimesh. 

Në gjykatë janë paraqitur ish deputetja Kryemadhi si edhe avokati i kreut të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani.

Kryemadhi përshëndeti gazetarët, të cilët i kërkojnë t’i bëjnë pyetje por në një moment ajo dëgjohet duke thënë se “tani do të hyjmë ne”.

Kujtojmë që SPAK i mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje, aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa nëna e ish deputetes, Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa ndaj Monika Kryemadhit është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Meta ka kërkuar disa herë ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga qelia por është rrëzuar nga të tre shkallët e gjyqësorit. Një ditë më parë, ai bëri sërish ankimim në Apelin e GJKKO kundër vendimit të dhënë nga Shkalla e parë.

Po ashtu, ish presidenti i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për lirimin nga qelia pasi pretendon se po mbahet jashtë afateve dhe në shkelje të ligjit e Kushtetutës.