TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Na ke bindur me programin tënd, ndaj do të votojmë”. Ky ishte premtimi që mori Belind Këlliçi nga gra e vajza, gjatë një takimi që zhvilloi me to, ku diskutoi për 5 prioritetet që ai ka për të zbutur koston e rënduar të jetesës dhe për të ofruar zgjidhje për problemet e mëdha që ka Tirana.
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, shpalosi një program që prek drejtpërdrejt jetesën, kushtet sociale, arsimimin, ekonominë dhe karrierën e grave dhe vajzve në Tiranë. Fillimisht, Belind Këlliçi shprehu bindjen se me angazhimin e grave dhe vajzave në fushatë, në 14 maj do të rrëzohet modeli që është aktualisht në krye të bashkisë së Tiranës, për t`i hapur rrugë ndryshimit.
“Unë bashkë me ju të gjitha, zonja të nderuara të qytetit, do të guxojmë për të mposhtur një model siç është ky modeli që kemi sot në krye të bashkisë Tiranë. Besoj fort që rezultati në 14 maj do të jetë surprizues për shkak të angazhimit të grave në Tiranë, që i shoh kudo me buzëqeshje, më kanë pritur shumë mirë”, -u shpreh Belind Këlliçi.
Këlliçi foli për projektin e tij duke nisur nga transporti publik falas. Sipas tij, aktualisht gratë dhe vajzat janë përdorueset më të shumta të urbanëve në kryeqytet, për këtë arsye, ai tha se ato do të jenë dhe përfitueset më të mëdha të transportit publik falas.“Unë mendoj se duke investuar në këtë drejtim, duke u subvencionuar biletën, duke u paguar transportin publik të gjithë qytetarëve, por grave mbi të gjitha, duke bërë të mundur modernizimin e flotës, duke modernizuar stacionet e autobusit, që ju sot shkoni dhe nuk keni as edhe një tabelë orari. As edhe një tregues se kur vjen autobusi dhe kur ikën. Duhet ta dini se mbi bazën e të dhënave që kemi marrë, janë më të shumta frekuentuese gratë se sa meshkujt të transportit publik. Pra më shumë zonja dhe zonjusha, femra dhe gra në Tiranë e marrin transportin publik. Unë mendoj se kjo ndërhyrje është një zgjidhje perfekte për gratë e qytetit të Tiranës”, -u shpreh Këlliçi.
Belind Këlliçi, deklaroi se për angazhimin e tij të dytë më të madh, zgjidhjen e problemit të trafikut me nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, gratë kanë qenë shtysa e tij kryesore.
“Jo vetëm në këtë program, por në të gjithë programin tim që po prezantohet në Tiranë, ta dini që një nga shtysat e mija kryesore kanë qenë gratë, për të prezantuar premtimin e dytë më të bujshëm që është bërë në këtë garë, nënkalimi te “Sheshi Skënderbej” për të zgjidhur çështjen e trafikut në Tiranë. Liron 60% të trafikut”, -pohoi kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Një tjetër angazhim i Belind Këlliçit për Tiranën, që prek drejtpërdrejtë nënat me fëmijë por edhe vajzat e reja, është ai për asimin. Tregoi me detaje se si ndërtimi i kopshteve, shkollave dhe çerdheve, do t’i japë zgjidhje shumë shqetësimeve që kanë sot familjet në Tiranë, në lidhje me fëmijët e tyre. Duke vijuar në këtë linjë, Belind Këlliçi shtoi se ai do të nxisë dhe ndihmojë në përmirësimin e statusit social të grave në shoqëri. Për këtë gjë, Belind Këlliçi u shpreh se për vajzat e talentuara do të ketë bursa të posaçme.
Gjatë takimit me gratë, Belind Këlliçi nuk la pa përmendur situatën me korrupsionin në bashkinë e Tiranës, ku sipas tij, pas 14 majit këtij fenomeni do t`i shpallë luftë pa kompromis. Në programin e Belind Këlliçit në mbështetje të grave dhe vajzave, përfshihet edhe mbështetja për fuqizimin ekonomik të tyre, mbështetje për artizanatin, përfshirje sociale, linjë këshillimi për gra vulnerabël. Belind Këlliçi kërkoi mbështetjen e grave dhe vajzave, që pas 14 majit, programi i tij për Tiranën të bëhet realitet.