AKTUALITET, 20 Maj 2024, 22:46

Artan Hoxha: Çdo kompani e madhe në Tiranë ka paguar haraç nga 1-3 milionë euro te përfaqësuesit e krimit

Artan Hoxha: Çdo kompani e madhe në Tiranë ka paguar

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, tregoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, burimet e financimit të krimit të organizuar. Ai tha se ata sigurojnë të ardhura të mëdha nga narkotrafiku, nga lojërat e fatit, por edhe nga haraçi që u vënë bizneseve për të operuar të qetë. Ai tha se çdo kompani e madhe në Tiranë ka paguar haraç nga 1-3 milionë euro te përfaqësuesit e krimit.

“Një person që vjen në një qytet dhe që bën një vrasje dhe s’e kap policia, cili biznes nuk i paguan haraç atij? Të gjitha kompanitë e mëdha të Tiranës u kanë paguar haraç, të mos i them me emra.

Nga 1 milion, nga 2 milionë, nga 3 milionë euro ua kanë paguar këtyre. Çdo kompani e madhe në këtë qytet ka paguar haraç.

Nga vjen pjesa tjetër e parasë? Vjen nga haraçi. Ata e quajnë siguri. Pra ti ke një biznes x afër aeroportit, apo afër autostradës Tiranë-Durrës. Mban mend që digjeshin kompani të mëdha, çdo javë?

Mban mend që kërciste zjarri atje? Pastaj i mitrolonin me kallashnikov. Po tregonin se mbretër të territorit ishin ata.

E kanë më lehtë të financojnë nën dorë dhe të zgjidhin hallet. Do të shohësh se janë vënë në punë edhe nga kompani të mëdha që janë në rivalitet me njëra tjetrën. Këta "ustallarët" i kanë vënë thonjtë në fyt kompanive”-tha Hoxha.