AKTUALITET, 20 Maj 2024, 18:21

Tatimi 15% për profesionet e lira, Bardhi: Hyrja në fuqi e ligjit ka detyruar mijëra të mbyllin aktivitetin! Rama premtoi taksë zero, por realiteti është krejt ndryshe

Tatimi 15% për profesionet e lira, Bardhi: Hyrja në fuqi e ligjit ka

Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, përmes një reagimi në rrjete sociale është shprehur se tatimi me 15% i profesioneve të lira ka bërë që mijëra të mbyllin aktivitetin.

Bardhi shprehet se mbyllja e biznesit nga mijëra profesionistë të lirë është dramë e familjeve të tyre, por është edhe e dëmshme për shoqërinë dhe shtetin shqiptar.

Ai shkruan ndër të tjera se kryeministri Edi Rama premtoi për ta taksa zero, realiteti paraqitet krejt ndryshe.

Sipas Bardhit, zgjidhja është që Shqipëria duhet të ndryshojë modelin e qeverisjes.

Shqipëria duhet ti japë fund modelit qeverisës të Edi Ramës, që diskriminon e shtyp më të pamundurin, dhe favorizon më të fortin. Qytetarët dhe bizneset kanë nevojë për një Qeveri që punon dhe kujdeset për ta, që ua lehtëson vështirësitë dhe i mbështet që të rrisin e zhvillojnë ekonominë e tyre.

Ashtu sikurse Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paralajmëroi kohën e miratimit të ligjit të ri, hyrja në fuqi e taksimit progresiv të profesionistëve të lirë, që arrin deri në 23 %, ka detyruar mijëra prej tyre të mbyllin aktivitetin. Sipas QKB-së, 35% e tyre janë mbyllur zyrtarisht, ndërkohë që mijëra kërkesa të reja janë ende nën përpunim.

Mbyllja e biznesit nga mijëra profesionistë të lirë është dramë e familjeve të tyre, por është edhe e dëmshme për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Është e pafalshme që për shkak të diskriminimit të Qeverisë së Edi Ramës, mijëra familje të humbasin të vetmen mundësi punësimi dhe të ardhurash për familjet e tyre.

Ndërkohë që Edi Rama premtoi për ta taksa zero, realiteti paraqitet krejt ndryshe. Taksat janë ulur vetëm për klientët e qeverisë, oligarkët e miqtë e Edi Ramës, që operojnë në një regjim të lehtësuar dhe favorizues, ndërkohë që bizneset më në nevojë, shtyhen të mbyllen apo të punojnë në kushtet e mbijetesës, si pasojë e rritjes së barrës fiskale.

Zgjidhja është: Shqipëria duhet të ndryshojë model qeverisës, të largojë Edi Ramën dhe modelin e tij të korruptuar që favorizon vetëm oligarkët dhe klientët e tij.