AKTUALITET, 15 Dhjetor 2021, 19:27

Arrestimi i Kokës, Kryemadhi: Afera e inceneratorëve, skema korruptive më e madhe në historinë e Shqipërisë. S’ka VKM që miraton miliona euro brenda ditës pa "OK" e Ramës

Arrestimi i Kokës, Kryemadhi: Afera e inceneratorëve, skema korruptive

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas reagimit të tij mbi arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka për aferën e inceneratorëve. Me një reagim në rrjetet sociale, Kryemadhi shkruan se, pas 24 orësh i erdhi zëri dhe reagoi duke e quajtur përgjegjësi individuale aferën e inceneratorëve.

Sipas saj, kjo aferë nuk është e vetëm një individi, por skema më e madhe korruptive në historinë e një vendi.

“Më në fund pas 24 orësh, i erdhi zëri Ramës dhe reagoi duke e quajtur përgjegjësi individuale aferën e inceneratorëve.

Mega Afera korruptive e inceneratorëve, nuk mund të jetë vepra e një individi apo institucioni të vetëm, por është skema korruptive më e madhe në historinë e shtetit shqiptar, e realizuar në bashkëpunim mes drejtuesve të shumë institucioneve të qeverisjes qëndrore dhe lokale.

Vlerësimi, kontrata dhe kthim përgjigje i 10 Ministrive brenda ditës, apo miratimi i VKM korruptive për miratim kontrate për një ditë, nuk ndodh as në shtetin më demokratik dhe funksional perëndimor, e jo më në shtetin e 2-të në botë për perceptimin më të lartë të korrupsionit.

Nuk ka VKM që miraton miliona euro brenda dite pa OK e Ramës.

Inkurajoj institucionet të zbardhin përgjegjësitë e plota të gjithë zyrtarëve publikë, subjekteve private dhe individëve pjesmarrës në këtë aferë dhe përballjen e tyre me forcën e ligjit.

Faktet e pakundërshtueshme i kemi dorëzuar në SPAK, mjafton ti lexosh dhe kupton qartë lojën, aktorët dhe rrjedhën logjike të gjithë aferës. Kjo është sprova më e madhe për drejtësisë e re, e cila ka mundësinë të luftojë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës të kupolës së Lartë Qeveritare.

Qytetarët vijojnë paguajnë nga taksat e tyre për korrupsionin Rilindas, ndaj pyetja e vetme është kush do të mbajë përgjegjësi për 430 milionë euro të firmosura nga duart e gjata të Ramës?”- shkruan Kryemadhi.