AKTUALITET, 14 Shtator 2025, 18:28

Arrestimet për piramidat online, Erion Braçe: Janë mbi 400 agjentë terreni në grup, qytetarët të bashkëpunojnë me policinë në Fier jo në Divjakë

Arrestimet për piramidat online, Erion Braçe: Janë mbi 400

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar pas aksionit të policisë ku u arrestuan disa persona me qëllim goditjen e firmave piramidale.

Braçe shprehet se janë mbi 400 agjentë terreni në skemën e piramidave online ndërsa i bën thirrje qytetarëve që kanë humbur para në këto skema, të drejtohen te policia dhe prokuroria për të bashkëpunuar në hetime.

Reagimi i Braçes

I mbani mend piramidat online që shpërthyen në korrik e gusht Txex, Xuex, Grokr etj?!; Ja ku i keni! Dëgjova pafund kur fola nga ata të nivelit të lartë, “ça piramidash thotë ky”, “ça do ky vëmendje”, “do të bëhet ministër po se bën kush”, “po ky do të na prish agjendën”, “e ka personale, po prish imazhin e Fierit”, “e përzunë prej andej ndaj flet kot”;

Nga disa vendas në Divjakë, “ç’punë ka ky, ky s’është më deputet këtu”, “pse flet ky, është pronari i Divjakës”, “pse na prish punë ky, ne po marrim lekë”! Nejse, unë kam zgjedhur të them të vërtetën, pa menduar hiç kujt i pëlqen e kujt jo; Fola sepse rreshti i piramidës në mes korrik e mes gusht u bë shumë i gjatë përpiu dhe emigrantë brenda; Fola sepse e kam jetuar 1994, 1995, 1996, 1997 dhe e di fare mire vijimin!

Tani, mësova për veprimet e policisë së Fierit, prokurorisë së Fierit, drejtorisë së Krimit Kibernetik; dua t’i falenderoj për punën, ashtu si AMF, AKEP e cilindo që besoi e u përfshi kundër piramidave online. Dua të besoj që hetimi e goditja nuk mbyllet këtu; ka mbi 400 agjente terreni në atë grup! Nuk e kam fjalën për dikë që hyri atje bashkë me familjarë; por ata që mbanin grupe me 50,100 anëtarë e që në Divjakë i njohin të gjithë!

Kam një thirrje për të gjithë ata divjakas, lushnjarë e fierakë, por edhe këdo tjetër që ka paratë atje brenda në piramidë; Drejtojuni policisë në Fier jo në Divjakë, dhe bashkëpunoni në hetimin e kujtdo që i dha jetë kësaj histerie që ju kushtoi shumë para, bashkëpunoni me policinë në Fier e prokurorinë po aty.