AKTUALITET, 8 Tetor 2022, 13:39

“Arben Kraja të vijojë detyrën”/ Përplasja e heshtuar qeveri-diplomatë për kreun e SPAK

“Arben Kraja të vijojë detyrën”/ Përplasja e
Kreu i SPAK, Arben Kraja

Qenia e prokurorit Arben Kraja në drejtim të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka krijuar prej muajsh një konflikt të heshtur mes shumicës qeverisëse në pushtet dhe diplomatëve të huaj që kanë mbështetur jo vetëm financiarisht Reformën në Drejtësi dhe institucionet e reja të saj, të votuara unanimisht nga deputetët shqiptarë në korrik 2016.

Ndërsa disa seli diplomatike në Tiranë duan që kreu aktual i SPAK, Arben Kraja, të vijojë të jetë në detyrë, partia në pushtet është shprehur publikisht se mandati i tij mbaron më 19 dhjetor dhe SPAK do të ketë një drejtues të ri.

Ligjërisht, shumica në pushtet është në rregull.

Më 19 dhjetor 2019, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja u zgjodh në krye të SPAK, me 6 vota të anëtarëve të Këshilit të Lartë të Prokurorisë për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje, që përfundon më 19 dhjetor.

Më 16 shtator 2022 Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorët Edvin Kondili (që dështoi të zgjidhej 3 vite më parë) dhe  Andand Xholi, quhen si favoritë, pasi prokurori Klodian Braho vendosi të mos marrë pjesë.

Rikandimin e kishte shprehur zyrtarisht vetë Kraja, në kërkesën drejtuar Kuvendit në prill të vitit 2021, ku kreu i SPAK-ut, kërkonte heqjen e këtij kufizimit dhe të drejtën e rikandidimit, duke përmendur Kushtetutën dhe Ligjin nr.95.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, që parashikon që prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë përsëritje, ndërsa drejtuesi një mandat 3-vjeçar pa të drejtë përsëritje.

“Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Posaçme të Apelit nuk e kanë një kufizim të tillë; të gjithë prokurorët e tjerë në sistemin e prokurorisë nuk e kanë një kufizim të tillë; drejtuesit e institucioneve kushtetuese nuk kanë një mandat të tillë të shkurtër në kohë dhe pa të drejtë rikandidimi… …Propozojmë që ndryshimi të jetë vetëm në dhënien e të drejtës për të rikandiduar, si për drejtuesin e prokurorisë, ashtu dhe për prokurorët e posaçëm,”- shkruante Kraja në kërkesën drejtuar Kuvendit.

Shumica në pushtet është shprehur, pa përmendur emrin e Krajës, se do të vijojnë procedurat ligjore për kreun e ri të SPAK.

Më 26 shtator 2022, Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, përjashtoi çdo mundësi që Arben Kraja të ketë mundësinë të rizgjidhet për një mandat të dytë në krye të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), sepse Kuvendi nuk do të pranojë që të ndryshohet Kushtetuta e arnuar në vitin 2016, kur në të u shtua edhe puna e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) të drejtuar nga SHBA-BE për reformën në drejtësi, për t’ja dhënë këtë të drejtë.

Sipas Ballës, kjo dëmton frymën e Reformës në Drejtësi, duke pranuar indirekt se ishte bërë propozimi nga “një institucion partner”, përkatësisht një seli diplomatike në Tiranë.

“Mund të vijë një propozim nga një palë, mund të vijë një propozim nga një grup deputetësh, mund të vijë një propozim nga një institucion partner. Asnjëri prej nesh nuk ka të drejtën të ndryshojë atë që ka qenë thelbi i reformës. Ne nuk duhet të nxitojmë duke gabuar. Ne nuk i kemi 84 vota dhe në këtë këndvështrim dëshira jonë është të gjejmë formulime të cilat krijijonë sa më shumë konsensus brenda Kuvendit”, deklaroi kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, më 26 shtator.

Në të njëjtën ditë, edhe nënkryetarja e parlamentit, Ermonela Felaj-Valikaj, deputete e PS-së dhe juriste, la të kuptohet se PS-ja nuk e mbështeste drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja për një mandat tjetër.

“Nuk kërkojmë gjyqtarë dhe prokurorë oportunistë”-deklaronte Felaj, duke pasqyruar edhe thelbin e deklaratave të kryeministrit Rama më herët se SPAK kishte goditur vetëm majtas, por jo djathtas, pra Berishën dhe njerëzit e tij.