AKTUALITET, 14 Qershor 2024, 15:45

Apeli lë në arrest shtëpie djalin e Nehat Kullës, Robert Kullën

Apeli lë në arrest shtëpie djalin e Nehat Kullës, Robert

Gjykata e Apelit ka nxjerrë nga qelia dhe ka caktuar masën "arrest në shtëpi" për djalin e Nehat Kullës, Robert Kullës.Ai akuzohet se ka dhunuar njerkën e tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtje. Më herët Kulla ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj saj. Shkak për konfliktin mes tyre është bërë pronësia për vilën e të ndjerit Nehat Kulla, që ndodhet në zonën e Tufinës në Tiranë.

Nehat Kulla, ka qenë kreu i një bande kriminale në vitin 1997, që vepronte në periferi të Tiranës, kryesisht në Tufinë. Gjatë vitit 1997, ai arriti të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, me aktivitet në zonën e Kinostudios dhe Tufinës në Tiranë. Nehat Kulla ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare në Qershor të 2020-ës si pasojë e disa sëmundjeve. Ai ishte i dënuar për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve polic pranë komisariatit 4 në Tiranë.

NJOFTIMI I GJYKATËS SË APELIT:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi kallëzimin e shtetases me iniciale L. K, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale Robert Kulla, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë  ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtje.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim, shtetasin me iniciale Robert Kulla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024, ka vendosur:

-          Vlerësimin si të paligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit R. K.

-          Caktimin si masë së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. K atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

-          Urdhërohet policia gjyqësore që ta çojë menjëherë në një institur paraburgimi personin nën hetim R. K.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale R. K, i cili kërkoi prishjen e vendimit, lirimin e menjëhershëm pasi nuk e ka kryer veprën penale. Në alternativë caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 14.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fuat Vjerdha vendosi:

- Miratimin e vendimit nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024 të Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me këto ndryshime:

- Caktimin ndaj të dyshuarit R. K të masën e sigurimit “arrest në shtëpi", parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke e urdhëruar të dyshuarin R. K të mos largohet nga banesa e tij...

- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dyshuarit R. K nga IEVP “Jordan Misja” Tiranë, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

                                                 Tiranë, më 14.06.2024

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM