AKTUALITET, 14 Qershor 2024, 12:59

Berisha mori vulën e PD/ Ambasada e SHBA: Nuk do të bashkëpunojmë me persona të shpallur non grata!

Berisha mori vulën e PD/ Ambasada e SHBA: Nuk do të

Pas interesimit mediatik, Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me marrjen e vulës së Partisë Demokratike nga Sali Berisha me vendim të Gjykatës së Apelit.

Në reagimin për mediat, diplomacia amerikane në Tiranë shprehet se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar sa i përket personave të shpallur “non grata” dhe se nuk do të bashkëpunojnë me ta. Gjithashtu, ambasada amerikane thekson se të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të sanksionuar nga SHBA.

“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.

Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara,”  thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.