TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Qëndresa Qytetare në nisje të procesit zgjedhor shprehu shqetësimin se 90% e universiteteve në Tiranë dhe 50% e fakulteteve të UT kanë 1 kandidat në këto zgjedhje, duke reflektuar mungesën e hapësirës për alternativat dhe kapjen e universitetit.
Prej një javë është bërë publik një fakt skandaloz, ai i plagjiaturës së doktoraturës së Rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, dhe Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha ,fakte të cilat tregojnë se në Universitetin e Tiranës është vrarë meritokracia në emër të nepotizmit dhe vjedhjes, u shpreh aktivisti i Qëndresës Migen Qiraxhi.
Ky fakt publik në media dhe i denoncuar në organet kompetente do duhej të kishte tronditur Ministrinë e Arsimit, Parlamentin, Akademinë e Shkencave, grupet e interesi dhe shoqërinë, pasi po flasim për një institucion arsimor që prodhon elitat e këtij vendi, e kur rektori e pranon plagjiaturën sot, kush do t’u kërkojë llogari studentëve të tij për plagjiaturë nesër?
Përballë këtij realiteti që ka bërë që Universiteti i Tiranës pavarësisht kapaciteteve akademike në çdo rankim ndërkombëtar të renditet i fundit në Europë sa i përket cilësisë, Qëndresa Qytetare bëri publike kërkesat e saj:
-Qëndresa Qytetare i kërkon shqyrtimin me urgjencë Këshillit të Etikës të plagjiaturave të doktoraturës së Rektorit Artan Hoxha dhe Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha.
- Qëndresa Qytetare i kërkon Ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu, të pezullojë Rektorin Hoxha dhe procesin zgjedhor deri në shqyrtimin e plotë të denoncimit të plagjiaturës.
-Qëndresa Qytetare i kërkon Rektorit Artan Hoxha dorëheqje nga gara për Rektor të Universitetit të Tiranës dhe një ndjesë publike nga ndaj pedagogëve, studentëve dhe publikut.
-Qëndresa Qytetare i kërkon Komisionit Institucional Zgjedhor anulimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës dhe hapjen e garës me proces vlerësimi ligjor të titujve akademik apo kontroll antiplagjiaturë për kandidatë në universitete.
-Kërkesa e fundit e Qëndresës Qytetare i drejtohet pedagogëve dhe arsimtarëve, ku u kërkojmë të distancohen nga vjedhja intelektuale dhe financiare e drejtuesve të Universitetit dhe të ngrenë zërin për çdo padrejtësi dhe abuzim.
Nuk kanë për te ardhur ditë më të vështira për vendin kur universitetet ndodhen të fundit në Europë dhe drejtuesit bëjnë sikur asnjë gjë nuk ka ndodhur, përmbyllën përfaqësuesit e Qëndresës.
Qëndresa Qytetare ashtu sikurse ka ngritur zërin kundër përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet në Universitet do të vijojë të ngrejë zërin deri në çlirimin e Universitetit nga akademikët me plagjiaturë dhe jomeritorë.