BOTA, 31 Mars 2023, 21:32

Andrew Tate dhe vëllai i tij lirohen nga paraburgimi, do të qëndrojnë në arrest shtëpie (detajet)

Andrew Tate dhe vëllai i tij lirohen nga paraburgimi, do të

Influenceri i rrjeteve sociale, Andrew Tate, dhe vëllai i tij Tristan do të lirohen nga paraburgimi dhe do të qëndrojnë në arrest shtëpie me efekt të menjëhershëm. Kështu ka vendosur një gjyqtar rumun.

Vendimi nga Gjykata e Apelit në Bukuresht zëvendëson periudhën më të fundit të vëllezërve  në paraburgim, që do të mbaronte më 29 prill.

Dy bashkëpunëtoret e dyshuara të tyre, Georgiana Naghel dhe Luana Radu, do të lirohen në arrest shtëpie gjithashtu.

Të katërt janë urdhëruar të qëndrojnë në ndërtesat ku jetojnë, përveç rasteve kur kanë leje gjyqësore për të dalë.

Vëllezërit janë ndaluar që nga dhjetori i 2022 dhe po hetohen për akuza të dhunimit seksual, trafikimit të personave dhe formimit të një grupi të organizuar kriminal. Të dy kanë mohuar veprat penale.

Avokatët e vëllezërve kanë argumentuar se mbajtja e tyre në paraburgim është e panevojshme, kur opsione të tjera gjyqësore si arresti shtëpiak, janë në dispozicion.

Dokumentet e gjykatës që janë zbuluar, tregojnë dëshmi nga viktimat e pretenduara, që thonë se janë detyruar të fitojnë 10,000 euro në muaj në platformat e mediave sociale, nën kërcënimin e dhunës fizike.

Dokumentet e gjykatës gjithashtu përshkruajnë borxhet që përdoren si "një formë kërcënimi psikologjik" ndaj viktimave.

Që nga fillimi i hetimit në prill të vitit të kaluar, prokurorët kanë identifikuar gjashtë gra si viktima. Megjithatë, ende nuk janë ngritur akuza kundër vëllezërve ose dy bashkëpunëtoreve rumune që u arrestuan bashkë me ta.

Andrew Tate, një kikboksier, i cili vetë-përshkruhet si mizogjen, ka shkaktuar "tërmet" në rrjetet sociale me videot e tij, për shkak të deklaratave seksiste dhe që potencialisht nxisin dhunë ndaj grave.