AKTUALITET, 15 Shtator 2025, 14:10

Akuzon Blushi: Me ndryshimet në rregulloren e re, kryeministri po shkel Kushtetutën

Akuzon Blushi: Me ndryshimet në rregulloren e re, kryeministri po shkel

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka folur për mediat, pas daljes nga mbledhja me krerët e grupeve parlamentare në Kuvend.

Ai ka kundërshtuar miratimin e propozimit të kryeministrit Rama për ndryshim të rregullores. Sipas Blushit, ligjërisht minimumi duhet të respektohet afati 1 javor i parashikuar në rregulloren aktuale për ndryshimet.

“Kërkuam që edhe formalisht të respektohet rregullorja, Kushtetuta, por u gjendëm përballë vendosmërisë  të kryetarit  të ri të parlamentit, të kryetarit të grupit parlamentar të rilindjes që janë të vendosur për të shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët duke kaluar në seancën e nesërme ndryshime të rregullores, ku qartësisht rregullorja parashikon që ndryshimi i rregullores kërkon një afat të përcaktuar prej të paktën 2 javë. Dhe në procedurë të përshpejtuar duhet respektuar të paktën afati 1 javor.

Po kërkojmë konsensus mbështetur në atë që parashikon rregullorja. Ajo që kundërshtojmë ne është që Edi Rama kërkon ta a trajtojë Kuvendin si noter të vendimeve të tij të paligjshme”, tha Blushi.