AKTUALITET, 2 Qershor 2024, 21:19

Akuzat për Olsin, Rama në Rai3: Ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka lidhje! T’i lihet në dorë drejtësisë

Akuzat për Olsin, Rama në Rai3: Ndërhyrje e neveritshme në

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin investigativ Report në Rai3 foli edhe për akuzat e ngritura ndaj vëllait të tij, Olsi Rama, për lidhje me grupet e trafikut të drogës.

Rai3: Ne kemi përmendur edhe vëllain tuaj, Olsi Rama.

Rama: Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar. I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim.

Rai3: Di që është rihapur hetimi pas emisionit.

Rama: Janë nën hetim, pasi ai ka paraqitur padi për shpifje, kështu që këtu i duhet lënë në dorë drejtësisë. Por t’i marrësh gjëra të tilla e të formosh një mozaik me copëza që janë të gjitha gjysmë të vërteta. Janë të gjitha gjysmë të vërteta dhe për këtë arsye gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, mashtrimet më të mëdha.