AKTUALITET, 27 Korrik 2022, 19:31

Paloka: Edvin, duhet të jesh idiot të besosh se me këto manovra do të shpëtosh!

Paloka: Edvin, duhet të jesh idiot të besosh se me këto manovra

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, ka reaguar pas akuzave në adresë të ish-presidentit Ilir Meta. 

Paloka shkruan në Facebook se, refuzon të marrë si të mirëqenë çdo akt që del nga Edi Rama.

Gjithashtu, deputeti demokrat sjell në vëmendje se PS rrjedh nga Sigurimi i Shtetit dhe funksionon me format e dikurshme të diktaturës. 

Ai bën përgjegjëse PS-në për mosmiratimin e një ligji tjetër lustracioni, ndërsa po kjo forcë politike që qeveris vendin, shton Paloka, ka mbushur administratën dhe drejtësinë me kriminelë të Sigurimit të Shtetit. 

Postimi

Unë nuk marr përsipër as të mbroj, as të dënoj, as të mohoj e as të pranoj diçka për të cilën nuk kam dijeni dhe asnjë të dhënë rreth të vërtetës. Për princip, jo sot, po kurdoherë, kam refuzuar e refuzoj të besoj e të marr për të mirëqenë çdo akt që mban mbi vetë shenjën e Edvin Ramës. Megjithatë, për sa përmenda më lart, nuk do të merrem fare me aktin e tij të fundit, me akuzën e fundit ndaj Ilir Metës.

Mjafton për të më ngjallur neveri thjesht fakti që një parti e cila thelbin e saj e ka tek Sigurimi i Shtetit; një parti që edhe sot funksionon me format e Sigurimit te Shtetit; një parti që sot drejtohet nga këlyshët e Sigurimit të Shtetit; një parti e cila sapo u rikthye në pushtet anulloi ligjin e lustracionit të miratuar nga PD e që në këto vite, në vazhdimësi, ka hedhur poshtë çdo propozim të opozitës për një ligj tjetër lustracioni; një parti që e mbushi drejtësinë dhe administratën me kriminelë të Sigurimit të Shtetit;

partia që në fund të fundit ka në krye sot të birin e atij që firmoste varjen e poetëve e që për mbi 15 vjet mbajti si numrin dy të tij dhe caktoi Kryetar Parlamenti ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit…sot papritur na “qenka tronditur” nga një dosje që i është servirur opinionit, po me format e Sigurimit të Shtetit. Duhet të jesh komplet idiot që të mos e kuptosh se përse i serviren opinionit pikërisht këto ditë lajme të tilla. Po duhet të jesh edhe më idiot po besove se me këto manovra do arrish t'i shpetosh fatit që të pret…Edvin!