AKTUALITET, 3 Janar 2026, 18:45

135 euro më shumë për bluzat e bardha/ Si kanë ndryshuar pagat e mjekëve dhe infermierëve ndër vite?

135 euro më shumë për bluzat e bardha/ Si kanë ndryshuar

Bluzat e bardha janë rikthyer sërish në vëmendjen e qeverisë. Në konferencën e fundvitit, kryeministri Rama njoftoi se do të ketë rritje pagash për mjekët dhe infermierët, duke theksuar se paga parashikohet të rritet me 135 euro në muaj, sipas kategorive. Gjithashtu, do të përfshihet njohja e vjetërsisë në punë dhe vlerësimi i saj në skemën e pagesës.

Por kjo nuk është hera e parë që mjekët dhe infermierët kthehen në vëmendjen e qeverisë. Në vitin 2017, për mjekët e urgjencës, reanimacionit etj., paga u rrit me 18 000 lekë në muaj, ndërsa për infermierët dhe teknikët e laboratorit në urgjencë, pagat u rritën me 12 000 lekë në muaj.

Ndërkaq, për mjekun e parë në qendrat spitalore universitare, pagat u rritën me 6 000–8 000 lekë, ndërsa për mjekun e dytë me 5 600–7 600 lekë.

Një tjetër rritje prej 5% u aplikua në vitin 2018.

Në vitin 2021, si mbështetje për përballimin e pandemisë Covid-19, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën me 40%. Për shembull, paga mesatare bruto e infermierëve u rrit nga 50 890 lekë në 65 700 lekë.

Nga 1 korriku 2022 u aplikua rritja e paralajmëruar prej 6%, ndërsa në vitin 2023 kjo u pasua me një tjetër rritje të komunikuar prej 7%.

Në vitin 2024, qeveria miratoi një paketë tjetër, e cila u shoqërua me riformatim të skemës së pagave, duke shfuqizuar edhe skemën e vjetër të vitit 2011.

Këto ndryshime janë prezantuar ndër vite si pjesë e masave për forcimin e sistemit shëndetësor dhe mbajtjen e burimeve njerëzore në shërbim, në një periudhë kur Shqipëria është përballur me presion të vazhdueshëm mbi stafet, sidomos në specialitete dhe shërbime kyçe.