AKTUALITET, 3 Janar 2026, 17:35

Të rinjtë shqiptarë po eksperimentojnë me produktet e kanabisit

Të rinjtë shqiptarë po eksperimentojnë me produktet e

Eksperimentet me produktet e kanabisit po vihen re edhe te të rinjtë shqiptarë. Mjekët toksikologë thonë se tetrahidrokabinoli, një vaj pa ngjyrë dhe përbërës i kanabisit, i cili përdoret në produkte të ndryshme në vendet ku kjo lloj droge është legalizuar, po gjen shtrirje edhe te të rinjtë shqiptarë, të cilët e përdorin këtë drogë prej një kohe të gjatë.

“Pacientët përdorues afatgjatë të kanabisit përdorin produkte me përqendrim të lartë të principit aktiv, tetrahidrokabinolit (THC). Kjo vjen si pasojë e përdorimit të kanabisit rekreativ, jo atij mjekësor,” tha Andrin Tahiri, shef i Toksikologjisë në QSUT.

Sipas mjekëve, përdorimi i kësaj lënde të kanabisit në sasi të mëdha shkakton pasoja shëndetësore. “Klinikisht kemi pasur raste, nuk mund të them raste të shpeshta, te pacientë me histori abuzimi afatgjatë me kanabisin rekreativ. Ata paraqiten me të vjella të përsëritura dhe të forta, të shtrira në kohë, të shoqëruara me nauze, dhimbje barku dhe dehidrim,” vijoi Tahiri.