TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia Demokratike zhvillon sot, 2 shkurt, mbledhjen e grupit parlamentar. Kreu i selisë blu, Sali Berisha, vlerësoi punën e deputetëve demokratë dhe tha se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura.
“E vlerësoj punën që keni bërë me zgjedhësit, por ju garantoj se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura.
Ka një revoltë të brendshme shpirtërore te njerëzit e thjeshtë që e shohin se edhe ajo shpresë që kishin te drejtësia për ndëshkimin e korrupsionit u shua.
Ata kuptuan se shkaku, autori, arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.
Kujtojmë se pak para se të niste mbledhja e grupit parlamentar të PD-së u zhvillua mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, ku deputetët demokratë nuk morën pjesë.
Për këtë çështje, mazhoranca ka paralajmëruar se do të aplikojë mekanizma zhbllokues, duke iu referuar kërkesës së PS-së për të ndryshuar formulimin e funksionimit të komisioneve të posaçme.
Sipas Berishës, zemërimi qytetar është i prekshëm në takimet që përfaqësuesit e opozitës po zhvillojnë në terren dhe ky reagim, tha ai, do të shprehet në rrugët dhe sheshet e Tiranës. “Kjo javë duhet të jetë një përkushtim i plotë dhe total në takimet me qytetarë, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë”, u shpreh kreu i PD-së.
Ai theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes bisedave, sqarimeve dhe debateve, duke akuzuar qeverinë për përdorim të propagandës. Berisha e cilësoi këtë propagandë si “toksike”, ndërsa mediat që, sipas tij, mbështesin qeverinë i akuzoi për glorifikim të skajshëm.
“Duhet t’i kundërvihemi propagandës në takime me qytetarët dhe të denoncojmë propagandën e turpshme të mediave që paguhen nga qeveria”, tha Berisha, duke kërkuar mobilizim maksimal të strukturave të PD-së në ditët në vijim.