TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në GJKKO vijon seanca paraprake për çështjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda pasi nuk i dha te drejtën të mbrohej efektivisht. Avokatja kryesisht Valentina Teodoresku u shpreh se taksia e priti vetëm një orë në paraburgimin e Durrësit, ndaj nuk pati më shumë kohë të konsultonte me kryebashkiakun aktet hetimore.
Teodoresku kërkoi shtyrje të seancës, kërkesë e cila u rrëzua nga GJKKO. Gjyqtarja Etleva Deda ka kaluar në konkluzionet përfundimtare, duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Ndërkohë Erion Veliaj është larguar nga seanca me pretendimin se nuk është dëgjuar nga trupi gjykues. Seanca po vijon me konkluzionet përfundimtare të palëve të tjera.
Për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.