AKTUALITET, 1 Gusht 2019, 23:32

A do të ndërhyjnë SHBA-të për zgjidhjen e krizës politike? Flet zyrtari i lartë i DASH

A do të ndërhyjnë SHBA-të për zgjidhjen e krizës


I pyetur nga ‘Zëri i Amerikës’ për kritikat që bëhen në Tiranë se SHBA-të po i japin mbështetje kryeministrit Edi Rama pasi kanë për qëllim stabilitetin dhe jo demokracinë në Shqipëri, Matthew Palmer e mohon diçka të tillë.

Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë thekson se Uashingtoni nuk mban anë në mosmarrëveshjet politike në Shqipëri dhe as nuk po i jep mbështetje Ramës, por mbështet institucionet shqiptare.

“Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”,thekson Palmer.

Në intervistë, Palmer thotë se dëshiron krijimin e Gjykatës së Lartë sepse mungesa e saj përbën shqetësim. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit, ai thotë se ishin “të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote.”

Sipas Palmer, i takon institucioneve shqiptare të vendosin nëse zgjedhjet duhet ose jo të përsëriten.