AKTUALITET, 5 Janar 2019, 09:41

Aksidentohet prefekti i Korçës, dyshime se ishte i dehur. Sherr me… (VIDEO)

Një aksident ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Vashtëmi të Korçës, në aksin nacional Korçë-Pogradec.

Mësohet se në aksident janë përfshirë tre mjete, një prej të cilave me targa të huaja.

Burime bëjnë me dije se në një nga mjetet e përfshira në aksident ndodhej edhe prefekti i qarkut të Korçës, Dhori Spirollari.

Spirollari, i cili ishte pasagjer në një nga mjetet, mësohet të ketë qënë i dehur dhe ka debatuar ashpër me drejtuesit e mjeteve të tjera. Megjithëse rruga ishte e pastruar nga dëbora, shkak për aksidentin është bërë shpejtësia me të cilën lëvizte automjeti tip Hundai Tucson i prefektit të Korçës.

Prefekti i Korçës, ka debatuar ashpër me drejtuesit e mjeteve të tjera, të cilët përveç aksidentit duhej të dëgjonin edhe brockullat që fliste prefekti nën efektin e alkoolit, dhe për të qetësuar situatën është dashur edhe ndërhyrja e policisë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të bërë vlerësimin e dëmeve.

Në fillim ngjarja u raportua nga policia si një aksident vetëm me dëme materiale, por burime nga vendi i ngjarjes thanë për CNA.al se në aksident është përfshirë edhe prefekti i Korçës, Dhori Spirollari dhe për më tepër ka qënë edhe i dehur.

Dhe ajo çfarë e bën edhe më skandaloze është fakti se asnjë prej drejtuesve të mjeteve nuk kishin goma dimri dhe zinxhirë, pavarësisht se ARRSH kishte paralajmëruar për ngrica në rrugë. Madje edhe automjeti i vetë prefektit nuk kishte goma dimri.

  

CNA.al