AKTUALITET, 30 July 2026, 19:46

61 ditë protestë, nis marshimi i qytetarëve drejt Kryeministrisë

Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 61-të, teksa edhe këtë pasdite qytetarët u mblodhën në sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë për të vijuar mobilizimin e përditshëm.

Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje të përditshme qytetare, e cila prej më shumë se dy muajsh mban në rrugët e Tiranës protestues që kundërshtojnë qeverinë dhe atë që ata e cilësojnë si kastën politike. Gjatë 60 ditëve të fundit, protestat janë shoqëruar me tubime, marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe ndryshimin e mënyrës së qeverisjes.

Edhe në tubimin e një dite më parë, aktivistët deklaruan se nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Ata e cilësuan dy muajt e protestës si një dëshmi të qëndresës qytetare dhe ritheksuan se mobilizimi do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të shpallura. Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke përsëritur thirrjet “Rama ik”, “Dorëheqje”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”.

Edhe sot pritet që skenari të jetë i njëjtë. Fillimisht do të mbahet tubimi para Kryeministrisë me fjalime të aktivistëve dhe qytetarëve, ndërsa më pas protestuesit do të nisin marshimin në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.