AKTUALITET, 23 September 2026, 09:10

Vendimi/ Pas shpalljes së pafajësisë, GJKKO heq sekuestron mbi pasuritë e ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi

 

Gjykata e Posaçme ka hequr masën e sekuestros për disa pasuri të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimit, duke dhënë si argument “mosplotësimin e kushteve ligjore për vazhdimin e saj mbi pasuritë objekt të këtij gjykimi.”

Konkretisht, janë hequr nga sekuestroja ½ e një karburanti në Lungomaren e Vlorës, një truall me sipërfaqe 2,400 m² në Jonufër dhe një pikë tjetër karburanti në ‘Transballkaniken’ e Vlorës.

Këto dy të fundit janë të regjistruara në emër të një personi tjetër, Kujtim Selimit!

Tashmë Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara do të njoftojë palët dhe do të ekzekutojë vendimin pas 15 ditëve.

Pasuritë e Selimit u sekuestruan në vitin 2021 nga SPAK që nga hetimi penal zbuloi të dhëna që 3 ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetutese dhe asaj të Lartë, kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme.

Më pas, në tetor 2022, SPAK e dërgoi çështjen në gjykatë duke e akuzuar Selimin për deklarim të rremë pasurie. Në 2025, Gjykata e shpalli ish-gjyqtarin të pafajshëm ndërsa Prokuroria e Posaçme e ankimoi çështjen në Apelin e GJKKO që la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Shkëlzen Selimi punoi për dy dekada në sistemin e drejtësisë, përpara se të shkarkohej në vitin 2018 nga vetingu për fshehjen e kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar. Edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi, u shkarkua nga Kolegji për shkak të kontakteve të papërshtatshme, megjithëse shumica e trupit gjykues nuk konstatoi probleme për pasurinë e saj.