AKTUALITET, 26 Shtator 2019, 09:07

450 mijë euro për shërimin, humb jetën 21-vjeçari që preku zemrat e të gjithëve

450 mijë euro për shërimin, humb jetën 21-vjeçari


Jeta na sjell të dëgjojmë edhe histori të trishta. E tillë ishte edhe historia e jetës së 21- vjeçarit nga Ulqini, Emro Abazit, i cili nuk mundi t’i shpëtonte sëmundjes së rëndë.

Ai ndërroi jetë dy ditë më parë. Shqiptarët kudo në botë u bënë bashkë për të riun dhe mblodhën 450 mijë euro që ai të kryente terapitë në Gjermani.

Por fatkeqësisht 21-vjeçari nuk ka mundur t’ia dalë dot, pavarësisht trajtimit dhe mbështetjes së tyre.

Lajmin e hidhur e ka dhënë Elvis Naçi, përmes një statusi në ‘Facebook’, ku i lutet zotit që ta mëshirojë.

“Emro e mbylli jetën e kësaj bote por lusim Zotin e Gjithësisë ta fali, mëshirojë dhe të dërgojë në Xhenet, në botën tjetër. Amin”, shkruan ai teksa publikon foto ku shqiptarët e përcjellin të riun në banesën e fundit.

Si u mblodh shuma e madhe e parave?

Naçi ishte një nga organizatorët për mbledhjen e shumës së parave. Fillimisht rasti i Emros-së u bë publik në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, ku Elvis Naçi i bëri thirrje shqiptarëve të jepnin aq sa të mundnin.

“E veçanta e këtij rasti është se bëhet fjalë për një shumë të madhe, bëhet fjalë për 450 mijë euro.

Pra nëse bashkohen 450 mijë shqiptarë me një euro atëherë kjo realizohet, apo sikur të bashkohen 45 mijë vetë nga 10 euro dhe çështja u mbarua.

Fondacioni ynë do të kontribuojë 5100 euro, 100 janë shtesë sepse ato do t’i jap unë.”, u shpreh Naçi. Shqiptarët menjëherë kontribuuan aq sa kishin mundësi, por ai nuk mundi të shpëtonte.