AKTUALITET, 19 Shtator 2018, 13:33

300 nxënës në protestë, shkak mbyllja e shkollës

300 nxënës të shkollës 9 vjeçare në Mengël të Elbasanit kanë protestuar për të tretën ditë radhazi për mbylljen e shkollës. Ata kanë vendosur të bojkotojnë mësimin duke protestuar në oborrin e shkollës së mbyllur prej dy vitesh për shkak se komisioni i emergjencave e cilësoi atë të pasigurt pas rënies së tërmetit.

300 nxënës detyrohen të hipin nëpër autobusë për të ndjekur mësim në turnin e dyte në një nga shkollat 9-vjecare në Elbasan. Prindërit u shprehën se do ti lënë fëmijët pa mësim nëse nuk hapet shkolla e tyre, pasi mbylljen e saj e konsiderojnë me prapavije politike.

Ndërsa nxënësit kërkuan hapjen e shkollës. Pavarësisht dëshirës për dije ata thonë se nuk do të shkojnë në mësim. Ditën e tretë të protestës është bashkuar deputeti demokrat Luçiano Boçi. Deputeti deklaroi se qeveria është duke u bërë atentat arsimit në Elbasan.

Protesta ishte paralajmëruar nga prindërit e 300 nxënësve një javë më para, ata apeluan për hapjen e shkollës por askush nuk u përgjigj. Kjo solli vendimin për të bojkotuar mësimin. TPZ.AL