SPORT, 1 Nëntor 2021, 14:27

Solskjaer “kopjon” Konten, Ronaldo: Nuk më trembin kritikat, të kthejmë faqe

Solskjaer “kopjon” Konten, Ronaldo: Nuk më trembin kritikat,

Ndeshje me sens unik ajo në Londër, me Mançester Junajtidin që ngre kokën pas humbjes 5-0 që pësoi me Liverpulin në “Old Trafford”, një javë më parë.

“Djajtë” i shënojnë tre gola Totenhemit të Nuno Espirito Santosit dhe Solskjaer largon disi presionin. Tekniku norvegjez ndryshon skemë dhe luan 3-5-2 dhe në fund i merr më të mirën Kristiano Ronaldos.

Tifozët reaguan me humor se 48-vjeçari kopjoi skemën e Antonio Kontes, për ta mbajtur larg këtë të fundit nga stoli i tij. Dhe një asist fantastik i Bruno Fernandeshit në minutën e 39- të solli diagonalen fluturimthi të Kristiano Ronaldos.

Në pjesën e dytë, miqtë janë padronë në fushë dhe vazhdojnë të shtyjnë përpara duke gjetur edhe golin e sigurisë me Kavanin në minutën e 64-t (asist i Kristiano Ronaldos). Markus Rashford, i cili zëvendësoi lojtarin e ndeshjes në minutën e 71-të, vulosi rezultatin 0-3 pasi mposhti Lorisin në minutën e 86-të.

“Spërsat” zhyten në krizë, ndërsa e mbyllën ndeshjen pa asnjë goditje në kuadratin e De Geas.

RONALDO – Sulmuesi 36- vjeçar, i cili në fund u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, shpreson që pas këtij rezultati “Djajtë” të kenë kthyer përfundimisht faqe pas humbjes me Liverpulin. “Dy humbjet e njëpasnjëshme kundër Lestërit dhe Liverpulit ishin të vështira.

Nuk i prisnim dy rezultatet e fundit, por unë shpresoj që këtë herë të kemi ndryshuar faqe”. Solskjaer e kaloi provën e parë dhe tani duhet të japë të njëjtën përgjigje në ndeshjen kundër Atalantës në Champions të martën dhe Sitit në Premier Ligë të shtunën.

Por CR7 thotë se menaxheri nuk është i vetmi person nën presion: “Të gjithë e dinë rolin e tyre në skuadër. Nuk është vetëm trajneri ai që shumë ia drejtojnë gishtin, por edhe lojtarët, gjithashtu. Unë besoj se diçka ndodhi për një arsye dhe ne duhet të jemi të gëzuar me këtë pasdite të mrekullueshme. Fituam 3-0 në stadiumin e një skuadre të vështirë.

Klubi është aq i madh sa kritikat do të jenë gjithnjë aty.

Mua personalisht nuk më shqetësojnë, sepse kam 18 vite në futboll dhe e di që një ditë është perfekte dhe një ditë tjetër ne jemi m… E di që duhet ta rregullojmë këtë. Sigurisht që është gjithnjë më mirë kur njerëzit të lavdërojnë dhe ata janë të kënaqur me ty kur fiton.

Por ndonjëherë jeta është e tillë, ndonjëherë duhet të kalosh mes momenteve të këqija”.