Pas humbjes ndaj Egnatias me rezultatin minimal 0-1 në shtëpi, në mikrofonat e “SuperSport”, trajneri i Laçit, Dejan Vukiçeviç jep deklarata lamtumire teksa thotë se nëse kjo punë ka shkuar kështu atëherë fati i trajnerit dihet:
“E vërteta është që nuk e kuptoj se kemi luajtur shumë mirë në pjesën e parë. Nuk e lejuam kundërshtarin, ndërsa ne kishim 4-5 raste të qarta. Për fat të keq, nuk shënuam, dhe në pjesën e dytë nuk ishim aty. Nuk e besoj që e merituam këtë humbje, por në futboll ndodhin edhe raste të tilla. Është e vështirë për të dalë nga kjo situatë, ia kam bërë të qartë dhe lojtarëve që me dy pikë në pesë javë nuk është situata që donim. Kemi bërë lojëra të mira, por kemi hasur gabime individuale dhe fakti është qe kemi vetëm dy pikë. Është e qartë se në një situatë të tillë trajneri duhet ta lërë klubin, që ata të punojnë si duhet. I falënderoj të gjithë, kemi punuar shumë mirë, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira por nëse nuk ke rezultate fati i trajnerit dihet. Më vjen keq për presidentin, që besoi te puna ime, për tifozët , unë pres që të ringrihen dhe të kthehen në rrugën e tyre normale”, u shpreh trajneri i kurbinasve.