SPORT, 8 Tetor 2021, 13:27

Mesi rrëfen gjithçka për revistën “France Football”: Asnjë pishman për PSG-në!

Mesi rrëfen gjithçka për revistën “France

Lionel Mesi i ka dhënë fund aventurës së tij në Barcelonë për të nisur një “jetë të re” në Paris.

Ai ka firmosur për dy sezone për Paris SG-në, ku ndihet mjaft mirë. Ndonëse nuk kanë munguar zërat e parë se ai nuk ka gjetur ambientin e duhur në Francë, vetë “Pleshti” ka hedhur poshtë gjithçka, duke saktësuar se nuk ka gabuar asgjë në vendimin e tij për të firmosur me PSG-në.

Këtë gjë ai e ka bërë gjatë një interviste të dhënë për revistën “France Football” që pritet të publikohet e plotë të shtunën në Francë. Megjithatë, mediat kanë arritur të shkëpusin diçka nga intervista e argjentinasit, ku thelbi ka qenë përshtatja e tij me klubin e ri dhe jetën në kryeqytetin francez.

Nëse dikush kishte ndonjë dyshim në lidhje me gjendjen e Mesit te PSG-ja përgjigjja ka ardhur nga vetë ylli argjentinas.

“Nuk kam gabuar asgjë në zgjedhjen time. Jam i kënaqur me vendimin tim. Nuk jam penduar që kam firmosur në Paris”, ka deklaruar Leo Mesi.

Kjo është dhe intervista e tij e parë që nga transferimi nga Barcelona për te PSG-ja. Kujtojmë se në Paris ai ka gjetur miq të rinj e të vjetër, mes të cilëve Nejmar e Di Maria, por edhe një ish-rival të ashpër si Serxhio Ramos.