SPORT, 7 Tetor 2021, 09:03

Tirana mbytet nga virusi, shtatë rezultojnë me COVID/ Skuadra anulon stërvitjen e pasdites

Tirana mbytet nga virusi, shtatë rezultojnë me COVID/ Skuadra anulon

Rrufe në ditën për diell për Tiranën. Katër titullarë, një rezervë dhe dy pjesëtarë të stafit bardheblu janë me COVID.

Edhe pse klubi hesht për çështjen në fjalë dhe nuk ka asnjë njoftim publik, deri tani zyrtarisht thuhet se janë të infektuar me COVID lojtarët Erjon Hoxhallari, Marsel Ismajlgeci dhe fizioterapisti i skuadrës, Arzen Voci.

Të tre ishin të grumbulluar në kombëtaret e Shqipërisë, respektivisht, me skuadrën A dhe ekipin U-21.

GRUPI I DYTË – Menjëherë pas lajmit të daljes pozitiv të tre pjesëtarëve të bardhebluve, klubi Tirana ka organizuar skuadrën dhe ka ftuar të gjithë të bëjnë tamponë për të parë nëse lojtarët dhe stafi janë të infektuar. Gjatë ditës shumica e lojtarëve dhe stafit kanë bërë tamponët nëpër klinikat private.

Edhe pse askush nuk e pranon zyrtarisht, jozyrtarisht tashmë me COVID kanë rezultuar edhe Majkëll Ngo, Taulant Seferi, Aldi Gjumsi dhe Kosta Jani, trajneri i përgatitjes fizike të skuadrës.

Zyrtarisht nuk ka asnjë njoftim nga KF Tirana, por jozyrtarisht është marrë vesh për këta futbollistë. Të gjithë kanë pasur shenja të ndryshme, si temperaturë, lodhje fizike apo shqetësime të tjera dhe pas testeve kanë konfirmuar praninë e virusit në trup. Asnjë nuk ka shqetësime të mëdha, por problemi është pozitiviteti dhe kur do të jenë negativë e të gatshëm për Orges Shehin.

TESTET – Menjëherë pas lajmit të parë, me shtatë vetë të infektuar me COVID, Tirana ka kërkuar nga lojtarët që të bëjnë të tjera teste në mbrëmje dhe sot paradite për të parë nëse do të ketë futbollistë të tjerë me shenja.

Po kështu, skuadra anuloi edhe stërvitjen e pasdites së djeshme që ekipi të ishte i qetë dhe të dezinfektoheshin edhe ambientet e stërvitjes.

Edhe sot do të ketë teste të tjera për të parë se cili nga lojtarët është pozitiv dhe negativ e më pas do të nisë puna në fushë. Në fakt, tani që flasim, Tirana ka katër titullarë që janë jashtë fushe, një lojtar stoli dhe dyshimin se të tjerë sportistë mund të shfaqin simptoma në ditët në vazhdim.

Po kështu, dy pjesëtarë të stafit janë me COVID. Shkurt dhe qartë, gjysma e Tiranës është në regjim spitalor. Nëse bardheblutë nuk riaftësohen shpejt, skuadra do ta ketë shumë të vështirë të përballet me Teutën, sepse është në mungesë organike.