AKTUALITET, 4 Gusht 2019, 14:50

12 mijë euro gjobë biznesmenit, lihet në burg i ‘forti’ Edmond Gecaj

12 mijë euro gjobë biznesmenit, lihet në burg i



Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg 30-vjeçarin Edmond Gecaj. Ai i vendosi gjobë 12 mijë euro një biznesmeni në Tiranë.

Edmond Gecaj, 30 vjeç, është një personazh i njohur për blutë e kryeqytetit. Gecaj dyshohet se ishte “truri” i bandës së gjobëvënësve dhe fokusi i tij ishin biznesmenët. Rasti i fundit ishte vendosja e një gjobe të majme prej 12 mijë euro një biznesmeni në kryeqytet i cili në kushtet e shtrëngimit ka paguar te Gecaj 7500 euro. Pasi ka dorëzuar këtë shumë, biznesmeni ka njoftuar policinë e cila ndërmori operacionin e koduar “Përsëritësit” duke prangosur Gecajn dhe bashkëpunëtorin e tij adoleshent.

Edmond Gecaj rezulton person me precedent të theksuar kriminale. Në mars të vitit 2016, atëherë 27 vjeç, Gecaj ka tentuar të vrasë me thikë në rrugën “Hoxha Tahsim”, shtetasin Femi Mëziu 44- vjeç, president i ekipit të futbollit “Korabi”.

Shkak i konflikt mes palëve ka qenë një shumë e madhe borxhi të cilën Mëziu u kishte marrë personave. Mëziu pranoi atëherë se u kishte marrë personave 20 mijë euro ndërsa Gecaj pretendon se borxhi kishte vlerën e 50 mijë eurove. Edhe pse u arrestua për tentativë vrasje, Edmond Gecaj ka dalë nga burgu një vit pas ngjarjes.

“Nga hetimet e deritanishme, pjesëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, janë autorë të disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, në qytetin e Tiranës.

Këta shtetas dyshohet se i kanë vendosur gjobë 12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro. Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këta persona”, – tha policia dy ditë më parë