AKTUALITET, 13 Dhjetor 2019, 06:10

Zgjedhjet në MB/ Konservatorët fitojnë thellë, humbje dërrmuese për Laburistët dhe fundi i Corbyn

Zgjedhjet në MB/ Konservatorët fitojnë thellë, humbje

Zgjedhjet e parakohshme të mbajtur ditën e djeshme në Mbretërinë e Bashkuar, kanë sjellë një rezultat surprizë. Edhe pse sondazhet parashikonin një fitore të Konservatorëve, askush nuk e kishte menduar se diferenca mes partisë së Johnson dhe  Laburistëve do të ishte kaq e thellë. Konservatorët kanë arritur të sigurojnë një mazhorancë mjaft bindëse, me një diferencë prej 78 deputetësh.

"Partisë Konservatore i është dhënë një mandat i fuqishëm, për të përmbyllur Brexit - jo vetëm për të bërë të mundur Brexit, por edhe për të bashkuar vendin dhe për ta çuar përpara", u shpreh Johnson.

Këto zgjedhje kanë sjellë një nga humbjet më dramatike në histori, për partinë Laburiste, të udhëhequr nga radikali i majtë, Jeremy Corbyn. Laburistët kanë humbur në shumë zona, të cilat i zotëronin prej dekadash. Një shembull konkret, është zona e Workington, të cilën laburistët e kanë zotëruar që prej vitit 1918 kur u krijua, por e kanë humbur pas zgjedhjeve të djeshme.

Corbyn ka deklaruar se nuk do ta udhëheqë këtë parti në zgjedhjet e ardhshme, duke paralajmëruar kështu dorëheqjen e tij.

Lideri i laburistëve, ofroi një shpjegim paraprak për këtë humbje të thellë. Ai u shpreh se partia e tij prezantoi një "manifesto shprese", por se Brexit  e ka polarizuar opinionin publik. Ai tha gjithashtu se politikat e tij kanë qenë popullore, por çështja e Brexit i ka lënë ato në errësirë.

Megjithatë, disa kritikë brenda partisë Laburiste, sugjerojnë se humbja e thellë, reflekton mospëlqimin e votuesvëve ndaj Corbyn dhe politikave të tij.

Gareth Snell, deputet i laburistëve, u shpreh se rezultatet ishin "katastrofale" dhe se lidershipi i partisë është përgjegjës, ndaj   kërkoi dorëheqjen e Corbyn dhe McDonnell.

Liderja e Liberal Demokratëve, Jo Swinson,  gjithashtu ka marrë një surprizc të hidhur nga këto zgjedhje, duke humbur mandatin e saj të deputetes, ndaj kandidates së Partisë Kombëtare Skoceze, për vetëm 149 vota. Swinson ka njoftuar dorëheqjen e saj nga drejtimi i partisë.

Çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve?  

Boris Johnson do të jetë kryeministri i vendit, me një mandat të ri pesë vjeçar dhe një mazhorancë mjaft komode në parlament. Bazuar në premtimet e tij gjatë fushatës elektorale, Johnson do të kërkojë miratimin e menjëhershëm në parlament,  të marrëveshjes që ai arriti me Bashkimin Europian dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të lërë Unionin në datën 31 Janar 2020, duke i dhënë kështu fune agonisë që ka mbërthyer vendin, që prej referendumit të vitit 2016.

/TPZ.al/