AKTUALITET, 18 Janar 2019, 16:45

Vuçiç paralajmëron Kosovën: Nëse taksa nuk hiqet, do të kemi probleme

Vuçiç paralajmëron Kosovën: Nëse taksa nuk hiqet,

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kërkuar prej institucioneve të Kosovës që të heqin taksën ndaj produkteve serbe nëse dëshirojnë që dialogu mes dy vendeve të hapet.

“Edhe një herë, i bëj thirrje Prishtinës që ta heqin taksën”, ka thënë presidenti serb para gazetarëve

Ky vendim, sipas tij do të zhbllokonte situatën.

“Jam i sinqertë, ndoshta edhe pak pesimist. Unë shpresoj, shpresoj që do të jetë një vendim i mençur që do t’i hap rrugë bisedimeve”, ka shtuar ai.

“Thirrja ime për partnerët Evropian të cilët kanë shumë ndikim në Prishtinë, është që të kërkojnë heqjen e taksës, sepse mendoj që është e rëndësishme që të vazhdojnë bisedimet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve për një të ardhme më të mirë”, është shprehur Vuçiç duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet të jetë me i qartë në këtë çështje.

“Pa heqjen e taksës, ne do të kemi probleme, shqiptarët dhe ne”, ka përfunduar presidenti serb fjalën e tij.