TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ngjarja në Rrëshen është një vrasje e paralajmëruar. Armando ose Tonin Gjini, që u ekzekutua sot në trotuarin përpara Katedrales, i kishte shpëtuar një atentati me tritol vetëm tre muaj më parë.
Vetë, Gjini më 6 Maj 2019 kishte denoncuar ngjarjen, duke thënë se ka gjetur një pako me tritol në automjetin e tij, teksa çonte fëmijët në shkollë.
Asokohe nuk u zbuluan autorët e ngjarjes, ndërsa tani 48 vjeçari mbetet i vrarë me armë zjarri në mes të qytetit.
Policia nuk ka rënë në gjurmë të autorëve, ndërsa po hetohet e shkuara e tij. Armando Gjini ka qenë i arrestuar në 2018, për trafik droge, si pjesë e grupit të Met Kananit, por më pas u la i lirë.
Konkretisht në 12 maj të vitit 2018, Gjini u arrestua në kuadër të operacionit masiv të ndërmarrë nga policia shqiptare në bashkëpunim me partnerët ku janë arrestuar në total 18 persona, 13 në Shqipëri, 5 në vendet e tjera.
Dyshimet ishin se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE-së, si dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE-së.
Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së.