AKTUALITET, 28 Maj 2019, 12:36

Pushohet hetimi, gjykata liron të arrestuarin për vrasjen e Marjo Majollarit


Pushohet çështja për Kastriot Gjuzin nga Gjykata e Tiranës, i cili prej 1 viti mbahej si i dyshuari kryesor për vrasjen e Marjo Majollarit, e ndodhur prillin e kaluar në zonën e Kinostudios.

Sipas Prokurorisë nuk ka pasur prova në ngarkim të Gjuzit, dhe gjykata ka vendosur lirimin e tij, ndërsa tejet e zhgënjyer nga drejtësia është shfaqur nëna e Marjos.

Kur kishin kaluar nëntë ditë nga vrasja e Majollarit, Gjuzi u arrestua në Vërnicë të Kosovës dhe menjëherë iu dorëzua autoriteteve shqiptare për “Kalim të paligjshëm të kufirit”.

"Nuk kam lidhje me vrasjen, kam qenë afër vendit ku u vra Majollari, pasi kam 50 metër më larg kam vjehrrën. U largova se erdhën shumë forca policie dhe mendova se mos kishin bërë ndonjë gjë nipërit e mi. Po kthehesha nga Kosova në Shqipëri me dëshirën time, nuk po tentoja të”, është shprehur Gjuzi pasi u arrestua në Prill të 2018-tës.

Ngjarja dyshohet se kishte prapaskenë hakmarrjen, pasi babai i Marjos ka vrarë në vitin 2010 vëllanë e Gjuzit.

Marjo Majollari duket se e parandjente një hakmarrje të mundshme, pasi në 2015-tën, një vit pas arrestimit të të atit të tij kishte shkuar për të kërkuar azil në Suedi.

Pas refuzimit të kërkesës për azil, ai u kthye në Shqipëri dhe jetonte vetëm me të ëmën pasi ishte djalë i vetëm.

Avni Majollari jetonte prej 14 vitesh në arrati, edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë.

Policia e Tiranës e arrestoi në vitin 2014 në rrugën “Ibrahim Brahja” në kryeqytet.

Në momentin e arrestimit, 44-vjeçari, banues në Tiranë u kap edhe me armë pistoletë në brez, kurse në banesë iu gjetën një automatik, një tjetër pistoletë dhe sasi municioni që u sekuestruan si prova materiale.