TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një ngjarje horror ka tronditur opinionin publik në Zvicër, në hapësirën shqiptare, madje edhe më gjerë. Një grua e moshuar 75-vjeçare zvicerane goditi me thikë për vdekje vogëlushin shqiptar 7-vjeçar.
Në vendin ku u vra djaloshi nga Kosova shumë njerëz kanë vendosur lule. Fatma L., nëna e viktimës, Mërgimit, shprehet se ajo që i ka ndodhur asaj, është më e keqja që mund t’i ndodhë një nëne. Motivi për vrasjen e 7-vjeçarit nga një e moshuar në Basel mbetet i paqartë. Siç raporton media zvicerane “Blick.ch”, ka gjasa që gruaja të ketë qenë “mendërisht e paqëndrueshme”.
Nëna e djalit të vrarë, Fatma foli për mediat në shtetin e Zvicrës.
“Ne jemi shumë keq. Nuk mund ta besojmë dot se çfarë ka ndodhur. Djali ynë iku përgjithmonë. Vrasësja mori nga unë lulen më të bukur që kisha”- tha nëna me lot në sy.
Kjo nuk ishte hera e parë që djaloshi shkonte vetëm nga shkolla në shtëpi. Fakti që nëna nuk e di motivin e vrasjes, e bën dramën më të tmerrshme për familjen.
“Nuk e njoh fajtoren. Nuk e di kush është. Unë kurrë nuk e kam parë atë. Unë nuk e di pse ajo e ka vrarë djalin tim. E pra, cila mund të jetë arsyeja për një vrasje kaq të kobshme, ndaj një djaloshi vetëm 7 vjeç? Ajo na shkatërroi jetën”, tha Fatma.
Fatma L. u shpreh se ka qenë në spital gjatë kohëve të fundit, pasi ishte sëmurë. Ajo tha se Mërgimin kishte dy ditë pa e parë. “Mërgimi më ka vizituar në krevat. Ai ishte aq i lumtur “, thotë ajo.
Tani familja do të duhet të varrosë 7-vjeçarin në vendlindje, në Kosovë. Disa orë pas sulmit të tmerrshëm, Fatma L. vizitoi vendin e krimit, të mbushur tani me lule. Ajo ra në gjunjë përpara luleve të hedhura e qirinjve, ndërsa nuk mban dot lotët e shumta.