TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Rama po përgatitet qysh prej dy vjetësh që të fusë në zgjedhjet për herë të parë faktorin e panjohur, diasporën. E quajmë kështu, sepse akoma nuk dihet sa do të jetë numri atyre që do të përmbajë lista e veçantë e elektorale e diasporës; nuk mund të parashikojmë efektin që do të ketë në qarkun e Tiranës, ku do të llogaritet vota e tyre; dhe KQZ nuk ka publikuar akoma një rregullore se si do të procedohet në votim nga emigrantët. Me fjalë të tjera, procesi, duke qenë i papërcaktuar, mund të lërë në momentin e fundit shtigje ligjore për manipulim të votave të diasporës nga mazhoranca.
Çfarë është vendosur në 5 qershor?
Në mbledhjen e fundit online të Këshillit të Diasporës, Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik të marrëveshjes së 5 qershorit, ka treguar vendimin mbi votimin e Diasporës. Nga ana e saj opozita nuk është marrë me këtë çështje, të paktën publikisht. Gjiknuri është shprehur se, në mënyrë që një emigrant të gjenerohet në listën e zgjedhësve, duhet të regjistrohet në regjistrin e Gjendjes Civile, e më pas sipas një akti të KQZ, do ketë mundësi që votën ta hedhë nëpërmjet postës. Vota do të llogaritet në qarkun e Tiranës.
Organizimi nga KQZ
KQZ ka ngritur, një muaj më parë, një grupi pune që të vlerësojë dhe përgatisë llojin, procedurën e votimit, manuale ose elektronike duke marrë në konsideratë kushtet e vendit tonë; Të përgatisë një vlerësim mbi procesin e votimit dhe administrimin e votave dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e zgjedhjeve; Të përgatisë një listë me akte juridike dhe protokolle teknike që do të bëjnë të mundur votim nga jashtë vendit; Të prezantojë modele të këtij lloji votimi në vendet e ndryshme. Afati i dorëzimit të këtij raporti ishte data 15 nëntor 2020. Deri tani, akoma nuk është bërë publik ky raport.
Regjistrimi në E-Albania
Qeveria është një hap para KQZ-së në funksion të këtyre përgatitjeve. Pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor për mundësimin e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në Fletoren Zyrtare është publikuar Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave për njoftimin e detyrimit për vetëdeklarim të adresës nga shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të republikës së Shqipërisë, të procedurës së plotësimit e të dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, administrimin e tyre nga autoritetet përgjegjëse, si dhe të shërbimeve të tjera që ofrojnë këto autoritete ndaj shtetasve”.
Regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është një proces i ndryshëm nga regjistrimi i shtetasve që do të shprehin vullnetin për të votuar. Sipas aktit të publikuar, “deklarues” do të konsiderohet çdo shtetas shqiptar me vendbanim të përhershëm jashtë vendit, që aplikon për deklarimin e vendbanimit të tij dhe marrjen e shërbimeve të ofruara.
Procedura e regjistrimit në e-Albania
Shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të aplikojnë për plotësimin e formularit tip të vetëdeklarimit nëpërmjet shërbimit elektronik në portalin e-Albania. Çdo shtetas shqiptar mban përgjegjësi administrative për mospërmbushje të detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës së tyre dhe autoritetet përgjegjëse, në rast konstatimi të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pezullojnë kryerjen e shërbimit të kërkuar, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës.
Deklaruesi identifikohet në mënyrë të sigurt në portalin e-Albania, duke përdorur numrin personal në pasaportë ose në letërnjoftimin elektronik, të lëshuara nga Republika e Shqipërisë, gjithashtu plotëson formularin e deklarimit të adresës me të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku ka vendbanimin e përhershëm, për veten e tij dhe/ose edhe për anëtarët e së njëjtës certifikatë familjare, në rastin kur ata jetojnë me deklaruesin. Bashkë me formularin deklaruesi paraqet çdo dokument zyrtar, i cili provon gjeneralitetet e shtetasit dhe adresën e plotësuar në formular, të njohur nga autoritetet e vendit ku jeton.
Të dhënat e formularëve të dërguar verifikohen nga punonjësit e Zyrës së Gjendjes Civile, nëse janë në përputhje me të dhënat e deklaruara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar e të konfirmuar, shërbimin e gjendjes civil dhe informimin për ushtrimin e së drejtës së votës, në zbatim të Kodit Zgjedhor.
Në rast ndryshimi të adresës, shtetasi deklaron adresën e re brenda 60 ditëve nga data e lidhjes së kontratës së qirasë apo e shitblerjes së objektit të banimit, si dhe çdo dokument tjetër që provon ndryshimin e adresës.
Fushata e parakohshme e PS-së në Diasporë
Mazhoranca po mundohet ta përdorë si përparësi në fushatën e saj tek Diaspora, organizimin e votimit për herë të parë të tij. Përmes, infrastrukturës qeveritare Ministrisë së Diasporës, ka ngritur tashmë një rrjet organizatash në diasporë dhe një Komitet, të kontrolluar nga qeveria, ku bëhet fushatë në favor të qeverisë. Në këtë manovër, me fondet e qeverisë janë organizuar fushata me artistë të diasporës, takime me kryebashkiakun Veliaj, që u kërkon emigrantëve të punojnë për rregullimin e “imazhit të Tiranës në botë” dhe promovimin e “sukseseve” të tij.
Mundësitë e manipulimit
Fakti që kjo listë zgjedhore bëhet për herë të parë, do të jetë unike, do të bëhet përmes e-Albania dhe Gjendjes Civile, do të duhet të shqetësonte opozitën.
Së pari, në listë nuk mund të futen të gjithë emigrantët, sepse shumë prej tyre nuk kanë dokumente të rregullta në vendin ku qëndrojnë. Po ashtu, mund të ketë subjektivitet në vlerësimin e këtyre dokumenteve. Së dyti, emigranti duhet të ketë një adresë zyrtare, të njohur nga shteti ku banon dhe kjo është një problem i madh sepse emigrantët janë në lëvizje. Atyre, sipas rregullit të vendosur, ju duhet të njoftojnë ndryshimet 60 ditë para datës së zgjedhjeve.
Pra, regjistrimi nuk do të jetë i lehtë dhe ka shumë hapësirë ku mund të përjashtohen votues potencial të opozitës të identifikuar si të tillë.
Një problem tjetër është mungesa e njohurive për këtë proces nga emigrantët dhe koha e shkurtër për t’u regjistruar. E theksojmë këtë pasi, sipas parashikimit të bërë nga vetë ministri i Brendshëm Lleshaj, në fund të vitit skadojnë afro 2 milionë karta identiteti. Në këtë rinovim të dokumenteve, emigrantët kanë mundësi më pak të përditësojnë letërnjoftimet ID.
Siç del nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor, vota e emigrantëve do të llogaritet në qarkun e Tiranës. Nga ndarja e djeshme e zonave zgjedhore në KQZ, qarkut të Tiranës i janë shtuar vetëm dy zona, të cilat ju hoqën Dibrës dhe Gjirokastrës. Kjo do të thotë se emigrantët do të kenë simbolikisht një zë sa dy mandate deputetësh. Që këtu, bie interesi i shumë emigrantëve për të votuar, pasi ata do të donin të ndikonin me votën e tyre tek përfaqësimi në vendlindjen e tyre.
Procedurat e votimit mund të jenë me postë fizike ose elektronike, ose të dyja bashkë. Parashikohet që protokolli i këtij lloji votimi, që bëhet për herë të parë në vendin tonë të jetë i komplikuar. Edhe kjo, është një faktor që step votuesit të angazhohen në këtë proces.
Votuesit mund të mos jenë në dijeni për afatet kohore të aplikimit, mënyrën e aplikimit, dokumentet që nevojiten për të votuar, si plotësohet fletëvotimi, ku duhet të dërgohet, si të futet fletëvotimi brenda zarfit të fshehtë. Gjithashtu, mungesa e dijes për procedurat e votimit mund të ndikojë negativisht në besimin që ata e kanë në procesin zgjedhor, dhe ata mund të vënë në pikëpyetje nëse votat e tyre numërohen, dhe se si ato kalkulohen me rezultatet e votave brenda vendit.
Në Aktin Normativ të qeverisë për regjistrimin e diasporës, nga njëra anë thuhet se ky proces është me vetdeklarim, nga ana tjetër ka një sanksion, që emigrantët të cilët nuk deklarojnë adresën në e-Albania nuk do t’ju ofrohen shërbime në Gjendjen Civile.
Një problem tjetër janë kostot e votimit për emigrantët. Votuesit mund të hezitojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre nëse votimi paraqet barrë financiare dhe kohore për ata. Votimi me postë kërkon nga votuesit që të paguajnë për shërbime postare gjatë aplikimit dhe dërgimit të fletëvotimit. Tërë kësaj i shtohet edhe kostoja kohore për të dërguar zarfin në zyrat postare, kostoja e zarfeve dhe printimit të dokumenteve. Këto mund të jenë pengesa të mëdha, sidomos kur shoqërohen me motivimin e ultë për të votuar.
Ka disa metoda të cilat shtetet e tjera i përdorin për organizimin e zgjedhjeve jashtë vendit, duke përfshirë votimin: fizik (në ambasada apo konsullata), me postë, me faks, votimin elektronik, nëpërmjet një personi tjetër dhe votimin e parakohshëm (para ditës së zgjedhjeve). Ofrimi i mënyrave të ndryshme të votimit i mundëson votuesve qasje më të lehtë në votim, por shteti duhet të gjejë një balancën në mes dhënies të së drejtës së votimit në njërën anë, dhe planifikimit logjistik dhe kostos për implementim, në anën tjetër. Në Kosovë, e cila është para Shqipërisë në këtë proces, votimi jashtë vendit është i mundur vetëm me anë të postës.
Një problem tjetër që step votuesit jashtë vendit është përmbushja e disa standardeve, sikurse votimi brenda shtetit, në kuptim të transparencës, sigurimit dhe mbajtjes së fshehtë të votës.
Opozita do ta ketë shumë të vështirë me mjetet e saj dhe me vonesën e treguar, të organizojë votuesit e saj për të kapërcyer pengesa të tilla, kurse mazhoranca ka të paktën dy vjet që punon në këtë drejtim.
Për kë votojnë emigrantët?
Megjithëse nuk ndonjë strategji zyrtare nga partitë e opozitës, ka një mendim që duhet marrë me rezervë: Votuesit nga Diaspora janë me opozitën në shumicën e tyre, sepse kanë ikur nga vendi për shkak të keqqeverisjes. Së pari, ata kanë ikur në kohë të ndryshme dhe ruajnë një fotografi të realitetit të vendit në momentin kur kanë ikur, larg asaj të tashmes. Së dyti, duke pasur mungesë informacioni votimi i tyre mund të jetë në formë tifozerie apo duke ndjekur një trend që krijohet me metoda marketingu kryesisht në rrjetet sociale dhe përmes shoqatave dhe organizmave në emigracion. Këto janë vetëm disa të çara të procesit të mundshme për manipulim, por votimi mund të tregojë edhe faktorë të tjerë që nuk mund të parashikoheshin në këtë artikull. / TPZ.al/