AKTUALITET, 12 Maj 2019, 10:11

VIDEO+FOTO/ Tym e flakë, protestuesit përplasen me Policinë deri pas mesnate


Protesta e katërt kombëtare e opozitës precipitoi në akte të forta dhune mes protestuesve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.

Për më shumë se pesë orë, kryeqyteti i Shqipërisë ishte nën flakë dhe tymin e gazit lotsjellës.

Në orën 18:30 mijëra protestues, që iu përgjigjën thirrjes së opozitës për të protestuar kundër Edi Ramës, u vendosën përpara Kryeministrisë. Me thirrjet “Rama ik” dhe “E duam Shqipërisë si gjithë Europa”, protestuesit bënë thirrje për largimin e kreut të qeverisë. Në drejtim të godinës së Këshillit të Ministrave, njësoj si në protestat e mëparshme, u hodhën qese me bojë, flakadanë dhe kapsolla.

Pasi kishin kaluar 60 minuta nga nisja e protestës, nga protestuesit u hodhën në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë bomba molotov, duke shpërthyer në flakë dy nga godinat më të rëndësishme në vend.

Në mënyrë të vazhdueshme drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit u godit me bomba molotov, ndërkohë që Policia e Shtetit iu përgjigj me gaz lotsjellës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte i vetmi që mbajti një fjalë në mes të protestuesve, ndërkohë që në drejtim të Kryeministrisë vijonin sulmet me mjete piroteknike dhe bomba molotov.

Fjalën e kreut të PD-së në mënyrë të vazhdueshme e ndërpriste punonjësi i Policisë së Shtetit, i cili i bënte thirrje organizatorëve të protestës të ndalnin aktet e dhunës. Në fund të fjalës së tij mes protestuesve, Basha kërkoi nga qytetarët rezistencë dhe më pas i tërhoqi ata përpara godinës së Këshillit të Ministrave.

Ishte sërish reagimi i fortë i Policisë së Shtetit përmes gazit lotsjellës ai që sprapsi protestuesit. Në ndryshim nga protestat e mëparshme, errësirën, demokratët e shfrytëzuan për të shfaqur në murin e Kryeministrisë thirrjet për largimin e kreut të qeverisë, Edi Rama.

Demokratët shfaqën përmes një projektori të madh në murin e bojatisur të Kryeministrisë, thirrje për largimin e Edi Ramës dhe foto të individëve të inkriminuar të lidhur me Kryeministrin.

Në mënyrë të vazhdueshme, demokratët e shndërruan sheshin përpara Kryeministrisë në një festival dritash, duke kujtuar edhe përmes fonisë se qëllimi i tyre nuk ishte të merrnin pushtetin me dhunë, por vendosja e standardeve europiane për proceset zgjedhore.

ZHVENDOSJA

Njësoj si në protestat e tjera të organizuara nga opozita, thirrjen për zhvendosjen e protestës në drejtim të Parlamentit e njoftoi ish-deputeti demokrat Flamur Noka.

Të udhëhequr nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, protestuesit u gjendën pas 15 minutash në hyrje të Parlamentit. Ndryshe nga mesazhet politike që u dhanë përpara Kryeministrisë, protesta te Parlamenti nisi menjëherë me përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Bombat molotov, që nisën përpara Kryeministrisë, nuk u kursyen edhe në drejtim të Parlamentit.

Efektivët e Policisë iu përgjigjën përmes makinave ujëhedhëse, të cilat tentuan të shpërndajnë protestuesit.

Në drejtim të turmës së protestuesve u hodh në mënyrë të vazhdueshme edhe gaz lotsjellës, duke i zhvendosur qytetarët në Rrugën e Elbasanit. Nga përplasjet, deri në mesnatë, në Spitalin e Traumës morën mjekimin 15 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 4 protestues.

Kur mendohej se protesta po shkonte drejt fundit, ndodhi arrestimi i dhunshëm i Sekretarit Organizativ të PD-së, Sait Dollapi.

Ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha, që akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Rama për arrestimin e Sekretarit Organizativ të PD-së dhe e zhvendosi protestën te Drejtoria e Policisë së Tiranës.