TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka nisur me tensione seanca plenare ku me të nisur leximi i rendit të ditës nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët e PD kanë bllokuar foltoren.
“Sot ka vetëm një pikë në rend dite”, thonë ata duke iu referuar protestës që pritet të nisë nga momenti në moment.
"Dënojmë dhunën e policisë. Të jemi pranë protestuesve, të dëgjojmë kërkesat e tyre dhe zërin e një brezi që nuk druhet nga pushteti. S’mund të ketë debat parlamentar para një krize shoqërore.
Studentët në rrugë, deputetët e opozitës janë krah tyre. Grupi i PD qëndron krah kërkesave të tyre", lexoi Belind Këlliçi në qëndrimin e përbashkët të grupit parlamentar.
Rreth tij, deputetët e tjerë mbajnë foto të protestuesve të lënduar.
Policia ka vendosur kordon sigurie rreth parlamentit, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm për shkak të protestës së paralajmëruar.
Pika e parë e rendit të ditës parashikon një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga Partia Demokratike. Interpelanca me ministrin Demo ishte kërkuar më herët nga opozita edhe më herët, por ishte shtyrë me argumentin se ai sapo kishte marrë detyrën dhe i duhej kohë të njihej me çështjet e ngritura. Interpelanca është kërkuar për sjelljen e policisë në protestat para parlamentit para se të niste java e protestave të dhunshme rrugëve të Tiranës. Do të pritet nëse tema e interpelancës do të 'zhvendoset' në mbarëvajtjen dhe sjelljen e policisë në protestat e 9 ditëve të kaluara.
Sipas rendit zyrtar të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, më 20 tetor, janë parashikuar edhe interpelanca të tjera. Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka kërkuar gjithashtu interperlancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në seancën e së enjtes do të shqyrtohen edhe disa projektligje, mes tyre ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, si dhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. PS kërkon nisjen e punës për ndryshimet ligjore për kompetencat e pushtetit vendor pas miratimit të hartës së re territoriale të vendit me 46 bashki.