AKTUALITET, 22 October 2026, 10:07

Pak pas mesnatës/ Aksident i rëndë në aksin Fier-Lushnje në rrethrrotullimin e Kolonjës, plagoset një çift bashkëshortësh

Pak pas mesnatës/ Aksident i rëndë në aksin Fier-Lushnje

Rreth orës 1 të mëngjesit të së enjtes, një mjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga, pasi është përplasur me barrierat metalike duke fluturuar mbi të dhe ka përfunduar në kanalin poshtë urës në një thellësi prej 5 metrash.

Është dashur ndërhyrja e menjëhershëm e punonjësve të zjarrfikësve të Lushnjës dhe stafi mjekësor i ambulancës për të nxjerrë nga makina një çift bashkëshortësh që udhëtonin me mjetin që përfundoi në kanal. Çifti i bashkëshortëve u dërgua me urgjencë në spitalin e Lushnjës me lëndime të shumta.

Nga të dhënat paraprake të bluve të qarkullimit dhe ekspertëve, shpejtësia e lartë dhe lagështia e madhe në rrugë për shkak të shiut me intensitet të lartë ka bërë që drejtuesi i mjetit të mos hyjë dot në rrethrrotullim por të kapërcejë barrierat e të përfundojë në kanal.

Pritet ekspertiza e policisë e cila do të hedhë dritë mbi këtë aksident ndërsa fatmirësisht nuk pati viktima. Rrethrrotullimi i kolonjës është një ndër pikat e zeza ku në të shkuarën ka pasur aksidente me fatalitete.